Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Fier, ku si pasojë ka humbur jetën një person.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në fshatin Rrapëz. Po ashtu mësohet se një mjet taxi ka marrë përpara 70-vjeçarin Skënder Maledhi, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Shoferi i taksisë ka qenë 52-vjeçari Genci Shahini.

Policia e qarkullimit ka shkuar në vendngjarje, po disiplinon trafikun dhe po kryen procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë Ambulanca është në pritje të veprimeve për të transportuar viktimën në morg. Mësohet se viktima po përpiqej të kalonte nga njëra anë e autostradës në tjetrën.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë / Informacion paraprak-Rreth orës 19:25, në aksin rrugor Fier–Lushnjë, shtetasi G. Sh., 52 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin S. M., rreth 70 vjeç, i cili, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi G. Sh., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme. 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.