Një aksident me vdekje është regjistruar mëngjesin e sotëm në hyrje të qytetit të Kuçovës. Një 31-vjeçar që ishte duke qarkulluar me automjetin e tij, tip Fiat Punto, me targa AA 667 LK, ka përplasur një burrë rreth 70-vjeç që po udhëtonte me biçikletë në rrugë. Aksidenti është regjistruar në orën 06:30 minuta në vendin e quajtur "Meteor".

Mjeti që drejtohej nga Marineo Bregu dhe biçiklisti ishin duke qarkulluar në të njëjtin sens kur makina e ka goditur të moshuarin nga prapa. Fillimisht 70-vjeçari u përplas në xhamin e përparmë të mjetit dhe më pas ka rënë në rrugë.

Trupi i pajetë i të moshuarit ka qëndruar për disa minuta në rrugë, në pritje të ambulancës dhe më pas është transportuar në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit. Viktima është identifikuar si Hamit Krasi.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të qarkullimit rrugor, të cilët kanë kryer edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sipas policisë, shkak për aksidentin e rëndë është bërë shpejtësia me të cilën automjeti ishte duke qarkulluar në këtë rrugë.