LEZHË- Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në rrugën dytësore Lezhë–Kakarriq, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal, duke u përmbysur.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën babë e bijë, Anton dhe Bora Keçi. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur që në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës. 

Viktimat punonin me kohë të pjesshme në kampin e refugjatëve në Gjadër. 53-vjeçari ishte shef i Shëndetësisë në burgun e Lezhës, ndërsa e bija 19-vjeçare po ndiqte gjurmët e tij në Mjekësi pasi ishte studente në vitin e dytë të fakultetit.

Djali, i shqetësuar që s'po arrinte t'i kontaktonte, ka telefonuar policinë. Ndërkohë, gjatë një patrullimi në zonë, policia ka konstatuar automjetin e përmbysur në kanalin me ujë, në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, ku janë gjetur edhe trupat e pajetë të viktimave.

Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, u konstatua se trupat u përkisnin babait e vajzës. Kjo e fundit drejtonte automjetin dhe dyshohet të ketë humbur kontrollin.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Vetëm ditën e premte u regjistruan 6 aksidente, ku 3 persona humbën jetën dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:17
Aksidenti në Lezhë i mori jetën mjekut e vajzës së tij/ Mesazhi i Pjerin Ndreut: Humbje që ka tronditur komunitetin

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar për aksidentin ku humbën jetën mjeku Anton Keçi dhe e bija 20-vjeçare, Bora Keçi. Ai shkruan se kjo është një ngjarje që ka tronditur komunitetin dhe shpreh ngushëllimet për familjarët.

“Një aksident tragjik mbrëmjen e djeshme i mori jetën doktorit Anton Keçi dhe vajzës së tij 20-vjeçare, Bora Keçi, studente e mjekësisë. Një humbje e rëndë që ka tronditur të gjithë komunitetin. Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidarizohem me bashkëshorten, djalin dhe prindërit e tij. Ngushëllime! Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, shkruan Ndreu.

 

Ora 08:10
Aksidenti tragjik në Lezhë, 52-vjeçari shërbente si shef shëndetësie në burg! E bija 20-vjeçare vijonte studimet e Mjekësisë

Lidhja e gjakut ishte vetëm një nga të përbashkëtat e Anton dhe Bora Keçit, babë e bijë që humbën jetën në një aksident tragjik në Lezhë mbrëmjen e së shtunës.

Në një postim ngushëllimi të shpërndarë nga Drejtoria e Burgjeve, bëhet me dije se 52-vjeçari ishte shef i Shëndetësisë në burgun e Lezhës, ndërsa e bija 20-vjeçare po ndiqte gjurmët e tij në Mjekësi pasi ishte studente në vitin e dytë të fakultetit.

Anton Keçi ka shërbyer për 6 vite në sistemin penitenciar, thuhet në reagimin e Drejtorisë.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se më datë 25.04.2026, në orët e mbrëmjes, në aksin rrugor Lezhë–Gjadër, në vendin e quajtur Gocaj, si pasojë e një aksidenti tragjik ku automjeti ka dalë nga rruga, kanë humbur jetën Dr. Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, si dhe vajza e tij 20-vjeçare, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.

Dr. Keçi shërbeu me përkushtim për rreth 6 vite në sistemin penitenciar, duke lënë pas vlerësim profesional dhe njerëzor tek kolegët dhe të gjithë ata që e njohën.

Në këto momente të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të afërmit. Jemi pranë bashkëshortes dhe djalit të tij, duke ndarë dhimbjen e madhe për këtë humbje të parakohshme dhe të pazëvendësueshme”, thuhet në postim.

Viktimat punonin me kohë të pjesshme në kampin e refugjatëve në Gjadër.