PUKË- Një aksident me vdekje ka ndodhur në fshatin Iballë të Pukës. Një automjet ka përfunduar në humnerë në vendin e njohur si Laku i Qershisë.
Burime bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ka humbur jetë në vendin e ngjarjes.
Viktimë ka mbetur Geg Prend Kola, 34 vjeç. Fillimisht kanë qenë familjarët e viktimës të cilët njoftuan policinë se kishin humbur kontaktet metë prej mbrëmjes së djeshme.
Ndërsa gjatë kontrolleve mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur 'Laku i Qershisë' në një rrugë dytësore, u gjet trupi i pajetë i Geg Prend Kolës, 50 metra poshtë rrugës.
'Mëngjesin e sotëm, familjarët e shtetasit G.K, 34 vjeç, banues në fshatin Berishë Vendi, kanë njoftuar Policinë se kishin humbur kontaktet me shtetasin G.K, që prej mbrëmjes së datës 28.09.2024.
34 vjeçari ditën e djeshme kishte shkuar në fshatin Iballë dhe në mbrëmje kishte njoftuar familjen se po kthehej për në banesë.
Gjatë kontrollit të rrugës paraditen e sotme, në vendin e quajtur “Laku i Qershisë”, në një rrugë dytësore që të çon në lagjen Bullicë të fshatit Berishë Vendi, rreth 50 metra poshtë rrugës është gjetur i pajetë shtetasi G.K.
Dyshohet se shtetasi G.K, duke u kthyer me automjet për në banesë, si pasojë e motit të keq ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga.', njofton policia.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:29
Aksidenti me vdekje në Pukë, Report Tv sjell pamje nga vendngjarja! Makina e shtypur totalisht ra nga lartësia 50 metra
Report Tv sjell pamje nga vendngjarja ku ndodhi aksidenti mbrëmjen e djeshme në fshatin Iballë të Pukës në vendin e quajtur ‘Laku i qershisë’.
Në këtë aksidenti ndërroi jetë në vend 34 vjeçari Geg Prend Kola, pasi ra nga 50 metra lartësi dhe makina është gjetur e shkatërruar totalisht.