SHKODËR- Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur rreth orës 17:20 në rrugën Shkodër-Bardhaj në vendin e quajtur ura e Bardhajve, ku ka ndërruar jetë një 28-vjeçare.

Drejtuesi i mjetit tip "Alfa Romeo" ka humbur kontrollin duke u përplasur me një mur, ku si pasojë ka dëmtuar dy persona që po ecnin në trotuar. 28-vjeçarja Lida Hebaj është dërguar me shpejtësi në Spitalin Rajonal Shkodër, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Gjithashtu është dëmtuar personi me iniciale D. K. 42  vjeç, i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër. Autori i aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes duke lënë të dëmtuar dy personat në vendngjarje. Sipas policisë, në vendngjarje ndodhet  grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe po punon për kapjen e autorit.

Gjatë mesditës së sotme një aksident tjetër ka ndodhur, ku janë përfshirë tre makina dhe drejtuesi i njërës prej tyre është dërguar në spital e ndodhet jashtë rrezikut për jetën.