Një aksident me Jet Ski ka ndodhur në liqenin e Kukësit, pasditen e djeshme. Dy persona kanë mbetur të dëmtuar pas përplasjes së dy mjeteve lundruese, ndërsa një 29-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë për “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.
Të dëmtuarit janë transportuar në spitalin e Prizrenit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dy Jet Ski-t janë sekuestruar nga policia, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
"Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Kukës proceduan penalisht shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.
Në liqenin e Kukësit, rreth orës 18:15, ky shtetas, duke drejtuar mjetin lundrues Jet Ski, ku ndodhej së bashku me shtetasin E. P., 46 vjeç, aksidentalisht është përplasur me mjetin lundrues Jet Ski që drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po dilte në breg të liqenit për të ankoruar mjetin lundrues.
Si pasojë, kanë marrë dëmtime të lehta shtetasit E. T. dhe E. P., të cilët ndodhen në spitalin e Prizrenit, jashtë rrezikut për jetën.Mjetet lundruese u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi sot policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.










Komente
Komento