Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në segmentin rrugor Qafë Mali – Fierzë. Një automjet ka dalë nga rruga, duke përfunduar 300 metra në humnerë.

Shoferi Prendush Kola 51 vjeç ka humbur drejtimin e automjetit duke rënë në humnerë dhe si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Sakaq, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Fushë-Arrëz / Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Qafë Mali–Fierzë”, shtetasi P. U., 51 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, forcat zjarrfikëse dhe ambulanca, por shtetasi P. U. ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njofton policia.