Një aksident rrugor është regjistruar sot në qendër të qytetit të Beratit, në aksin Axhensi–Ish/Merkata, ku një automjet tip “Volkswagen Golf” ka përplasur një këmbësor 60-vjeçar. Sipas informacioneve paraprake, makina dyshohet se po lëvizte me shpejtësi në momentin kur ka goditur të moshuarin, i cili po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën.

I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Berat me ambulancë. Burime mjekësore bëjnë me dije se 60-vjeçari është futur fillimisht në sallën e operacionit për shkak të një dëmtimi në kokë dhe më pas është transferuar në Repartin e Urgjencës, ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë kqyrjen e zonës dhe po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të aksidentit. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një 20-vjeçar, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.