Një aksident me pasojë plagosjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bypass-in e autostradës në Lushnjë. Një mjet tip Benz ka përplasur një person që kalonte nga njëra anë e autostradës në anën tjetër me biçikletë.
Pasi ka kaluar barrierën e hekurt anësore, është goditur nga Benzi, edhe pse drejtuesi i mjetit është munduar ta shmangë. 44-vjeçari, drejtues i biçikletës, është dëmtuar rëndë në të dyja këmbët dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin dhe zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa është shoqëruar drejtuesi i mjetit.
Nga të dhënat e para dyshohet se i dëmtuari i ka prerë rrugën mjetit tip Benz në një aks rrugor të siguruar me barriera anësore.
"Rreth orës 09:00, në aksin rrugor "Çermë-Lushnjë", shtetasi S. H., 62 vjeç, me automjetin që drejtonte, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi O. P., 44 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë, 62-vjeçarin, dhe vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Komente











