Tre aksidente janë regjistruar ditën e sotme në rrugët e vendit. Njëri nga aksidentet ka ndodhur rreth orës 11:00 në aksin Sarandë-Ksamil, tek vendi i njohur si Hidrovori ku për pasojë ka humbur jetën një turiste italiane, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë. Një makinë tip “Ford” me targa AA 609 UD me drejtues Fatmir Rumani, banues në Tiranë është përplasur me një motoçikletë tip “Piaggio”, në të cilën udhëtonin dy turistë italianë, burrë e grua, me banim në Genova. Bëhet me dije se nga përplasja ka humbur jetën turistja italiane Maria Seda, 64 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj Giuseppe Sciutto 65 vjeç më frakturë ta hapur në anën krahun të majtë.
Pas dhënies së ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, 65 vjeçari italian është dërguar për në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pamjet e siguruara nga Report Tv tregojnë se makina tip Ford ka devijuar nga rruga duke bërë një manovrim për parakalim, ndërsa motoçikleta me dy turistë Italianë ka qenë duke u kthyer nga Ksamili dhe në atë moment është përplasur me automjetin i cili po lëvizte në anën e kundërt. Në momentin e përplasjes drejtuesi i motorit Giuseppe Sciutto ka përfunduar rreth 3 metër larg, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbetur e vdekur në afërsi të gomës së parë të makinës. Si pasojë e përplasjes së fortë motori ka përfunduar në një largësi deri në 30 metër nga vendi ku është përplasur.
Po këtë të premte një aksident tjetër është regjistruar edhe në Kukës ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve kanë mbetur të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Aksidenti ka ndodhur tek mbikalimi i Gostilit në aksin rrugor Kukës- Bicaj, ku makina tip Ford me targë italiane, CF 756 NM është përplasur me një Volksagen me targë AA682 KE për pasoj të dy makinat kanë përfunduar në bordurat anësore. Edhe në Trush të Shkodrës është regjistruar një aksident ku 3 makina janë përplasur me njëra tjetrën. Burime për Report Tv bëjnë me dije se njëra nga makina ka përfunduar në kanal. Fatmirësisht nga aksidenti ka pasur vetëm dëme materiale.