Lezhë- Një 60-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, pasi motoçikleta me të cilën po udhëtonte u përplas me një automjet.

Aksidenti ndodhi sot (8 Dhjetor) rreth orës 11:00, në superstradën Lezhë-Shkodër, pranë kryqëzimit të fshatit Gocaj.

Drejtuesi i motoçikletës, Gjon Zeka, nga fshati Kallmet i Lezhës, u dërgua fillimisht në urgjencën e qytetit dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi ka marrë fraktura në disa pjesë të trupit dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Gazetari i Report TV dhe Shqiptarja.com, Elvis Hila, informon se policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, shoqëroi në komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Ledian Maçaj, pasi nga veprimet paraprake hetimore bëhet me dije se mjeti që drejtohej prej tij, i cili po hynte në superstradë, i ka prerë rrugën motoçikletës, duke sjellë dhe përplasjen e fortë.

Kryqëzimi i fshatit Gocaj është kthyer në burim aksidentesh, pasi mungon fushëpamja për automjetet që dalin në superstradë.