Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës ku një kamionçinë që udhëtonte nga Vlora drejt Radhimës ka rënë në zonën e njohur si Kalaja, prapa tunelit te Uji i Ftohtë.

Kamionçina ka rënë nga 7 metra lartësi duke përfunduar në breg të detit.

Gazetari i Report TV, Armand Xhelili, thotë se brenda automjetit gjendej drejtuesi i mjetit, Përparim Kapaj. Ai ka siguruar edhe videon gjatë përpjekjeve për të nxjerrë shoferin nga automjeti ku policia dhe forcat Shqiponja shihen duke provuar të hapin derën me forcë.

Përparim Kapaj është 62-vjeçari që udhëtonte i vetëm në kamionçinën e cila transportonte materiale ndërtimi. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës për trajtim mjekësor të specializuar.

Nga pamjet duket se kamioni ka dalë nga rruga dhe ka thyer barrierat mbrojtëse duke përfunduar poshtë, në pjesën me gurë.

Mendohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të automjetit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
“Shumë e frikshme, shyqyr që shpëtoi!” Qytetarët flasin pas aksidentit në Vlorë: Po të ishte sezoni i verës, kushedi sa do të kishin vdekur

Disa qytetarë në Vlorë kanë parë aksidentin në zonën e Kalasë, prapa tunelit të Ujit të Ftohtë. Ata përshkruajnë për Report TV ndjesitë e të dëshmuarit aksidentin e frikshëm, ku kamionçina doli nga rruga dhe ra nga një lartësi prej 7 metrash duke përfunduar në breg të detit.

Njëri prej tyre thotë se e pa momentin kur morën drejtuesin e kamionçinës, Përparim Kapajn dhe shprehin lehtësimin për faktin që ai shpëtoi paq.

“E pashë që e morën, por nga lart. Shyqyr që shpëtoi!”, thotë qytetari duke shtuar: “Shumë e frikshme!”

Ndërsa një tjetër thotë se të paktën nuk ka të lënduar të tjerë, siç mund të ndodhte në sezonin veror

“Të ishte sezoni i verës, do të kishin vdekur aq shumë aty sa ti nuk e merr dot me mend”, dëgjohet të thotë qytetarja.