Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rajonin Akhisar të Manisës të Turqisë, ku një autobus me turistë u përplas me një kamion dhe për pasojë humbën jetën 11 persona dhe u plagosën 27 të tjerë.
Sipas mediave të huaja, autobusi pas përplasjes u përmbys, ndërsa ekipet e shpëtimit thyen xhamat për të nxjerrë pasagjerët nga automjeti.
Siç raportohet nga TrtHaber, aksidenti fatal ndodhi pranë sporteleve të pagesës Akhisar në autostradën Gebze-Orhangazi-Izmir.
Personat që mbetën të plagosur u dërguan në spitale për të marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik mbeten ende të paqarta.
"Ekipet shëndetësore dhe të shpëtimit janë dërguar në vendin e ngjarjes, ndërsa operacionet e shpëtimit për qytetarët e prekur nga aksidenti kanë filluar menjëherë. 11 qytetarë tanë humbën jetën në aksident, ndërsa 27 u plagosën. Të plagosurit janë dërguar në spitale. Po e monitorojmë nga afër zhvillimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha organet përkatëse", thuhej në njoftimin e Prefekturës së Manisas.
Ndërkohë ministri i Brendshëm turk, Mustafa Ciftci, teksa bëri një përditësim të situatës, ngushëlloi familjarët e viktimave.
"Në aksidentin rrugor që ndodhi në rajonin Akhisar të Manisës, sipas vlerësimeve fillestare, 11 qytetarë tanë humbën jetën, ndërsa 37 u plagosën.
AFAD, Policia, Xhandarmëria, Zjarrfikësit dhe ekipet shëndetësore 112 u dërguan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe filluan operacionet e shpëtimit. Po e monitorojmë nga afër zhvillimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha organet përkatëse.
Urojmë që Zoti të mëshirojë qytetarët që humbën jetën, durim dhe ngushëllime familjeve të tyre, si dhe shërim të shpejtë për të lënduarit. Zoti e ruajt vendin tonë dhe popullin tonë të dashur nga të gjitha llojet e aksidenteve dhe fatkeqësive", shkroi në një postim në rrjetet sociale ministri i Brendshëm turk, Mustafa Ciftci.








Komente
Komento