Policia Rrugore e Fierit vijon me monitorimet intensive me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset rrugore për parandalimin e aksidenteve të mundshme dhe menaxhimin e trafikut.

“Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe menaxhimin e trafikut.

Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në akset kryesore të qarkut, konkretisht në segmentet: “Lushnjë–Fier”; “Fier–Vlorë”; “Fier–Mallakastër”; “Lushnjë–Divjakë”; “Lushnjë–Berat”.

Këto shërbime janë të pajisura me mjetet më të specializuara për monitorimin e qarkullimit dhe kontrollin e lëvizjes së automjeteve”, njoftoi sot policia.

Gjithashtu uniformat blu bëjnë me dije se në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut Fier është shtuar prezenca e punonjësve të Policisë.

Kjo masë ka si qëllim garantimin e sigurisë maksimale për fëmijët dhe nxënësit gjatë procesit mësimor.

“Gjithashtu, në qendrat e banuara të qarkut Fier, është shtuar prezenca e punonjësve të Policisë pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, me qëllim garantimin e sigurisë maksimale për fëmijët dhe nxënësit gjatë procesit mësimor.

Në fokus të kontrolleve janë drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, si: parakalimet e gabuara; drejtimi i mjetit në gjendje të dehur; errësimi (veshja) e xhamave të automjeteve.

Të gjitha këto shkelje janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.

Policia Rrugore e Fierit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe i fton të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor që hasin në përditshmëri, të cilat bëhen burim i aksidenteve rrugore”, thuhet në njoftim.