TIRANE- Numri i madh i aksidenteve në punë, ku gjatë 20 viteve numërohen me qindra raste, ishte aresyeja që mblodhi në Tiranë disa profesorë të shquar të ardhur nga Italia që së bashku me organizatorët e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë të sensibilizonin edhe një herë strukturat shtetërore, por dhe shoqërine civile për të parandaluar këto aksidente, tashmë kur dhe Shqipëria si një vend që aspiron aderimin në Bashkimin Evropian duhet të ketë një strategji të përcaktuar qartë për këtë qëllim, për implementimin e praktikave më të mira sipas standarteve evropiane për sigurinë e jetës në punë. Punimet u zhvilluan, në Universitetit Katolik "Zoja e Keshillit te Mire", nën logon e një seminari ndërkombëtar ku përshëndetën punimet Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë si dhe Profesorë italianë nga Universiteti i Barit "Aldo Moro" dhe Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranes. 

Ministri Veliaj, në fjalën e mbajtur në këtë konferencë u shpreh se, në prioritet të dikasterit që ai drejton është siguria dhe jeta e njerëzve në punë. Në këtë konteks tha ai, Ministria po harton draft strategjinë e re 2014, për sigurinë e jetës në punë duke u mbështetur në eksperiencat dhe praktikat më të mira evropiane vecanërisht të fqinjëve tanë italianë që njihen për ligje dhe standarte të larta të sigurisë së jetës në punë. Francesco Pantaleo, President i LABS u shpreh se "Shëndeti dhe siguria në punë përcaktojnë tashmë një kuadër të privilegjuar ndërhyrjesh institucionale në nivele të ndryshme (ndërkombëtare, evropiane, shtetërore ) dhe njëkohësisht përfaqësojnë një temë, e cila gjithnjë e më shumë, ndërthur kompetenca të shumëfishta tekniko-shkencore që tërheqin interesa të ndryshme, shoqërore, ekonomike dhe kulturore .

Sipas tij angazhimi i të gjitha këtyre strukturave, pritet të sjellë përmirësime konkrete të kushteve të punës dhe një pakësim të aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale. Ndersa Luigi Triggiani Drejtor i Uniocamere Puglia Tiranë, vuri theksin në faktin se jeta është më e cmuar se gjithcka dhe me ketë lajmotiv synojmë, në mënyrë tepër modeste, por edhe shumë realiste, të japim një ndihmesë të mëtejshme jo për të eliminuar por, për të ulur përqindjen e lartë të të demtuarve dhe aksidentuarve në punë. Sipas tij, është e nevojshme të sensibilizohen për këtë qëllim subjektet e ndryshme, të anëtarësuara në shoqata, publike apo private, për të zbatuar masa të nevojshme për të rritur nivelin e mirëqënies shoqërore dhe ekonomike si të Shqipërisë ashtu edhe të vendeve të tjera të zonës ballkanike.

Gianfranco Giordano , President i shoqerisë Aziende in Sicurezza, u shpreh se, duhet forcuar bindja për të krijuar një aktivitet pune të shëndetshëm dhe të sigurtë për të rritur në mënyrë të drejtëpërdrejtë cilësinë e jetës së secilit prej nesh. Paneli me të ftuar elitar nga fusha te ndryshme të jetës social ekonomike dhe politkave shoqerore evidentoi në qëndër të dy ditëve të punimeve temen e sigurisë në punë si vlerë, në kuptimin etik dhe ekonomik, për punonjësit, sipermarrjet, dhe për kolektivitetin. Seminari dhe Kursi i Formimi, nxiti një balafaqim në nivele të ndryshme dhe për më tepër, synoi të rrisë aftësitë që i përkasin burimeve njerezore, duke ndihmuar kështu rritjen e mirëqënies socio-economike, në përputhje me objektivat dhe standardet evropiane. Keto evente realizohen ne bashkepunim me Universitetin Katolik "Zoja e Keshillit te Mire" dhe Università degli Studi di Bari "Aldo Moro" në partnership me "Aziende in Sicurezza" dhe Unioncamere Puglia – Selia Tirane dhe mbi 20 sipërmarrje të huaja dhe shqiptare që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë. 

Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)