Pas një katërmujori thuajse të qëndrueshëm, aksidentet rrugore në vendin tonë kanë shënuar rritje të fortë gjatë prillit. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin prill 2026 u regjistruan 132 aksidente rrugore në të gjithë vendin, nga 112 që ishin në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me një rritje prej 17.9%.  

Pasojat në njerëz kanë qenë gjithashtu të rënda.  Gjatë prillit mbetën të vrarë ose të plagosur 194 persona, nga 162 një vit më parë, ose 19.8% më shumë.

Tirana rezulton qarku më problematik, me 60 aksidente në prill 2026 nga 34 që ishin një vit më parë. Edhe numri i të aksidentuarve në kryeqytet u rrit ndjeshëm, nga 48 në 78 persona.

Rritje e fortë u regjistrua edhe në Vlorë, ku aksidentet u dyfishuan nga 6 në 14, ndërsa numri i të plagosurve dhe viktimave shkoi nga 6 në 25 persona. Në disa qarqe të tjera, si Durrësi, Shkodra, Lezha dhe Berati, situata rezultoi më e qetë krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

Pavarësisht përkeqësimit në prill, bilanci i katërmujorit të parë të 2026-ës mbetet pothuajse i pandryshuar. Në këtë periudhë u regjistruan 414 aksidente rrugore, vetëm një më shumë se një vit më parë.

Edhe numri i të vrarëve dhe të plagosurve ka mbetur në të njëjtat nivele, me 585 persona të prekur nga aksidentet.

Sipas INSTAT, 89.4% e aksidenteve gjatë prillit kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç mban peshën më të lartë të aksidenteve, ndërsa orari më problematik rezulton ai mes orës 19:00 dhe 24:00, ku ndodhën 30.3% e aksidenteve totale.