Nga aksidenti i rëndë hekurudhor në Spanjë, ku kanë humbur jetën 69 persona, janë përfshirë edhe nëntë italianë. Sipas bilancit paraprak, dy gra italiane rezultojnë ende të zhdukura, një person ka mbetur i plagosur, ndërsa pesë të tjerë kanë shpëtuar pa lëndime. Një italiane tjetër e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur është lokalizuar dhe ka njoftuar konsullatën italiane në Madrid se ndodhet mirë.
Pas aksidentit, autoritetet italiane kanë aktivizuar mekanizmat diplomatikë për të ndihmuar familjet e personave të përfshirë dhe për të verifikuar gjendjen e shtetasve të tyre, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle.
Sipas raportimeve të mediave italiane, disa prej italianëve udhëtonin me një tren Frecciarossa i cili transportonte 146 pasagjerë, ndërsa të tjerët ndodheshin në një tren të kompanisë shtetërore spanjolle Renfe me 397 persona në bord.
Në trenin Frecciarossa ndodhej njëra prej grave që fillimisht u raportua e zhdukur si dhe pesë shtetas të tjerë italianë me origjinë nga Sassari, Bergamo, Roma, Foggia dhe Cosenza. Të gjithë jetonin në Spanjë dhe ishin të regjistruar në regjistrin e italianëve që banojnë jashtë vendit.
Ndërkohë në trenin e kompanisë Renfe udhëtonin dy gra italiane dhe vëllai i njërës prej tyre. Njëra nga gratë është lokalizuar dhe ka konfirmuar se është mirë, ndërsa tjetra rezulton ende e zhdukur. Vëllai i saj ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në spitalin e Toledos, por gjendja e tij nuk paraqitet e rëndë.
Mes të mbijetuarve është edhe Antonio Narciso, një student me origjinë nga Foggia, i cili ka qetësuar familjarët dhe miqtë përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Dua të qetësoj të gjithë ata që po më kërkojnë ose po më shkruajnë në këto orë: jam mirë”, ka shkruar ai duke treguar se ka ndihmuar edhe ekipet spanjolle të shpëtimit pas aksidentit.
Ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet pas aksidentit në Spanjë, Ministria e Jashtme italiane dhe ambasada në Madrid po punojnë për të sqaruar fatin e personave që rezultojnë ende të zhdukur dhe për t'u ofruar ndihmën e nevojshme familjeve të tyre.






Komente
Komento