GJIROKASTËR- Një ditë pas aksidentit tragjik me 5 jetë të humbura në Qafën e Muzinës, policia arrestoi shoferen e ‘Land Roverit’ që u përplas me furgonin me pasagjerë që përfundoi në greminë. Pavarësisht se ndaj 22-vjeçares nga Tirana, Rexhina Çelhaka, është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, hetuesit ende po punojnë për përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të aksidentit. 

Rexhina Çelhaka është pajisur me patentë vetëm 3 vite më parë në Itali. Në ‘Land Roverin’ që ajo drejtonte, pasagjere ishin 2 mike të saj bashkëmoshatare me shtetësi italiane, të plagosura lehtë bashkë me shoferen, Ana Koskovila dhe Giulia Parimi. Sipas dëshmisë së tyre, furgoni e mori kthesën gjerë dhe shoferja e fouristradës frenoi për të shmangur përplasjen, ndërsa makina rrëshqiti nga lagështia.

Përplasja, rezultoi fatale për shoferin 51-vjeçar, Bardhi Prodo, baba i 3 fëmijëve, dhe 4 pasagjerë të tij që shkonin nga Tirana për në Sarandë. Një çift të moshuarish, Drita dhe Fiqiri Korçari, 72 dhe 77 vjeç dhe një çift turistësh të huaj nga Ukrahina, Tetjhana dhe Olesandr Fediaieva, 48 vjeç dhe 53 vjeç, që humbën jetën.

Nga furgoni mbeti vetëm një vajzë 25-vjeçare e mbijetuar, banuese në Tiranë, Greta Daberdini, e cila shkonte tek e motra që ishte me pushime në Sarandë.

Shoferi i furgonit që e kryente përditë linjën Tiranë-Sarandë, e kishte kolauduar automjetin vetëm një ditë para përplasjes tragjike.  Rruga në Qafë-Muzinë njihet si mjaft problematike për shkak të ngushtësisë së saj dhe mungesës së sinjalistikës.

1630050737_patenta.jpeg

Patenta e Rexhina Çelhaka