Një lajm i trishtë ka prekur klubin e Shënkollit dhe familjarët e Klajvert Çunit, pasi futbollisti 21-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. Ai ndodhej aty që prej 23 marsit si pasojë e një incidenti në biznesin e familjes në fshatin Torovicë ku ra nga tarraca.
Pavarësisht kujdesit të mjekëve ish-kapiteni i ekipit U-21 ndërroi jetë duke trishtuar këdo që e njihte. Për ikjen e tij të parakohshme ka reaguar fillimisht akademia e Shënkollit që në rrjetet sociale shkruan:
“Kësaj radhe nuk ia dole të fitoje betejën më të rëndësishme o Kapiten. Shumë beteja ke fituar duke luftuar në fushë si një kapiten i vërtetë. Ishe ai që të donin shokët, trajnerët, stafi, por dhe të gjitë ato që të njohën nga afer!
Ku ti gjejmë ne fjalët e ngushëllimit për të shprehur mungesën tënde dhe dhimbjen që na shkaktove. Jemi lutur me shpirt këto ditë për ty, por si duket Zoti të desht pranë vetes.
Do na mungosh shumë Klajvert Çuni.
Pushofsh në Paqe Kampion.”
Edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka tha se ky lajm ishte shumë pikëllues.
“Lajmi për humbjen e jetës së Klajvert Çunit, të riut të rritur në akademinë e Shënkollit, më ka pikëlluar mua dhe çdo anëtar tjetër të komunitetit të futbollit. Ditë të tilla janë të zeza për këdo, jo vetëm për komunitetin tonë të futbollit.
Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e Klajvertit! U prehtë në paqe!”-shkruan Duka.