Plani i kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur 20 për qind të aksioneve komerciale të Kupës së Botës te privati ka shkaktuar debat të madh gjatë 24 orëve të fundit në botën e futbollit.
Infantino 'ka joshur' 211 federatat anëtare të FIFA-s me rritje të të ardhurave për secilën federatë deri në 40 milionë euro, një shtim i ndjeshëm në buxhetet e federatave. Kreu i FIFA-s ka lënë afat deri më 19 shtator për të diskutuar planin e ri, me shumicën e anëtarëve që duhet të jenë pro nëse kjo ide do të vendoset në jetë. Veç anëtarëve, ideja duhet të miratohet edhe në Këshillin e FIFA-s.
Mirëpo, kjo ide po krijon përçarje në botën e futbollit. UEFA, shumë federata të njohura, zyrtarë të lartë nga BE dhe vende me traditë në futboll, kanë dalë kundër kësaj ideje për 'privatizimin' e Kupës së Botës.
Një vendim duhet të merret edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), si pjesë e FIFA-s së bashku me 210 federata të tjera në botë. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, është njëherazi edhe një nga zëvendëspresidentët e UEFA-s, andaj ai ndodhet mes 'dy zjarreve', milionat e FIFA-s që do të ndikonin në rritjen e infrastrukturës dhe cilësisë sportive në Shqipëri, apo ndjekjen e linjës së UEFA-s (ka qëndrim kundër) ku mban edhe postin e rëndësishëm.
Lajmi kryesor:
'Privatizimi' i Kupës së Botës, Infantino mbron planin me investitorët: Kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë





