Dhoksi Mango (Ibrahimi) 29-vjeçare ndërroi jetë në një aksident rrugor të dielën në aksin Memaliaj-Krahës.
Nënë e një djali 1 vjeçar, ajo udhëtonte në automjetin i cili drejtohej nga bashkëshorti i saj 35-vjeçar, Ledian Ibrahimi, i cili kishte vetëm 4 muaj që e kishte blerë makinën dhe ishte shofer i ri.
Automjeti i tyre u përplas me një tjetër makinë, e pas hetimeve të kryera policia arrestoi shoferin i cili mendohet të jetë bërë shkak për aksidentin, një 37-vjeçar.
‘Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në aksin rrugor "Memaliaj-Krahës", si pasojë e të cilit humbi jetën 1 shtetase (pasagjere) dhe u dëmtuan 2 drejtuesit e automjeteve që u përplasën, ju informojmë se u bë identifikimi i shtetases që humbi jetën, Dh. I., 29 vjeçe, bashkëshortja e drejtuesit të njërit prej automjeteve, shtetasit L. I., 35 vjeç.
Gjithashtu, në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për këtë rast, specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit tjetër, shtetasin A. M., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Të dy drejtuesit e dëmtuar vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.