Shoferi i autobusit të linjës së Unazës po hetohet në gjendje të lirë pas aksidentit në Tiranë, ku u përplas me një automjet tip “Benz” dhe të dy përfunduan në lumin Lana. 62-vjecari i identifikuar si Muhamet Kyçyku, banues në Tiranë do të hetohet për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".

Mbrëmjen e së premtes, pesë persona u plagosën dhe banorët e zonës nxituan të nxirrnin nga makina dy të rinjtë që ishin brenda automjetit tip “Benz” të kthyer përmbys poshtë autobusit. Ata janë identifikuar si Jurgen Rama 27 vjeç shoferi dhe A. H., 27 vjeç, pasagjeri i mjetit.

Autobusi që u ‘shndërrua’ në urë duke zënë poshtë makinën është ende në skarpatet e lumit ndërsa automjetin, të dëmtuar plotësisht e nxorën që në mbrëmje. Policia rrugore po heton dy pista, atë të një defekti teknik në autobus, ku mendohet se ishin rreth 50 persona dhe parakalimit të gabuar të veturës.

Report Tv mëson se shoferi i autobusit ka deklaruar se po futej në stacion për të marrë pasagjerët por në një moment ka dalë jashtë kontrollit duke marrë xhiro shpejtësie dhe për të shmangur tragjedinë ai ka devijuar në Lanë. Dyshohet edhe për një parakalim të gabuar të shoferit të veturës në momentin që autobusi kishte ndezur sinjalin e bllokimit të krahut të majtë në blv. “Gjergj Fishta”.