Aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e një gruaje ka ndodhur mesditën e djeshme, në kryqëzimin e rrugës "Jordan Misja" me "Unazën". Përplasja fatale u regjistrua në orën 11:16 dhe gjithçka është fiksuar prej kamerave të sigurisë. Viktima është Dhurata Doku Prifti, 37 vjeçe, ndërsa të plagosur mbetën fëmijët e saj 13 dhe 7 vjeç.

Nga pamjet e fiksuara prej kamerave të sigurisë dhe nga dëshmitë e personave që ishin prezent, mësohet se Dhurata Prifti, bashkë me dy fëmijët e saj, po kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën.

Në këtë moment një automjet "Benz" CDI 220 ngjyrë gri me targa AA 476 GLM, ka mbërritur me një shpejtësi që përllogaritet të ishte deri në 60 km në orë, ndonëse aty pranë është edhe kryqëzimi.

Me një makinë të rastit, nëna e dy fëmijëve u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë edhe me ndihmën e qytetarëve, por pas ndërhyrjes kirurgjikale ajo nuk mundi t'u mbijetonte plagëve të marra dhe ka gjetur vdekjen.

Dëmtime nga ky aksident pësuan dhe fëmijët që ishin në shoqërinë e nënës duke kaluar rrugën dhe aktualisht janë nën kujdesin e mjekëve me dëmtime të rënda. Mjekët thonë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën por janë të traumatizuar. Nga pamjet filmike të sekuestruara tashmë nga policia del qartë se autori i krimit jo vetëm që nuk ka qëndruar, por i ka xhiruar gomat benzit, duke u larguar me shpejtësi.


Redaksia Shqiptarja.com