Efektivët ishin duke përfunduar shërbimin, por gjysëm ore para se turni tjetër të merrte detyrën, ndodhi e paimagjinueshmja.
“Nuk e kuptuam, humbëm ndjenjat. Gjysëm ore para se të linim shërbimin na goditi makina me fuqi”, thane Voja dhe Hoxha.
Të dy policët ndodhen të shtruar tek Trauma, në një nga dhomat e pavionit të neurokirurgjisë.
Voja gjatë paradites ishte tejet i përhumbur. Nuk mban mend shumë nga ngjarja, por ato pak minuta nuk ngurron t'i rrëfeje. Voja tha se sëbashku me shokët Ervin Haxhia dhe I. Hoxha ishin duke patrulluar me makinë, kur furgoni i policisë u trondit nga një goditje.
“Kemi qenë duke ecur kur morëm një goditje të fuqishme nga mbrapa. Nuk e kuptuam kur dhe si na erdhi goditja. Furgoni ynë pësoi dy rrotullime në vend. Kur më nxorrën nga makina e policisë, pashë dy kolegët e shtrirë. Nuk mbaj mend shumë gjëra….patrullonim shpesh në këtë segment”.
Voja rrëfen për Report Tv e Shqiptarja.com se ishte ai që kërkoi ndihmë për aksidentin, ndërsa kolegët ishin të shtrirë pa ndjenja në furgon.
“Ishim duke patrulluar, në rrugë pranë shkollës se mesme në Kamëz. Unë isha në vendin e parë, ndërsa Neili ishte në drejtim të mjetit të policisë. Kolegu tjetër ka qenë në ndenjësen e pasme. Ka qenë ora rreth 8:30 afërsisht, kur u goditëm në mënyrë të papritur nga pas. Qe një goditje shumë e fortë. Nuk kuptova asgjë çfarë ndodhi, ndërsa furgoni u rrotullua. Më pas furgoni më ka nxjerrë në mënyrë të menjëhershme jashtë, ndërsa pashë dy kolegët e mi të shtrirë. Menjëherë kam kërkuar ndihmë dhe bëra thirrje në radio. Pas thirrjes time dëgjova shefin e komisariatit Sali Skuraj që ndërhyri menjëherë në komunikim dhe urdhëroi që të niseshin forcat drejt vendit të ngjarjes. Di që u nisën kolegët dhe më kanë nisur në spital me një veturë private mua dhe kolegët e mi. Më pas nuk mbaj mend më asgjë".
Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Fatos Olldashi thotë se pacienti Neil Hoxha, ka pasur hemoragji në tru, por se tashmë ai është përmirësuar. Besim Voja, ka dëmtim të brinjëve, pranë shtyllës kurrizore, por edhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
(Besim Voja)
Ndërsa Besimi kishte dijeni për fatin e Ervin Haxhias, Neil Hoxha ende nuk e di se kolegu i tij ka ndërruar jetë.
Teksa nën zë pëshpëritej, ‘i ndjeri që ndërroi jetë’, Neil Hoxha ngre kryet përpjetë dhe pyet; ‘Pse kush ka ndërruar jetë?’
Familjarët mundohen t’a qetësojnë. Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ata nuk duan që Neili të mësojë për fatin e kolegut Ervin Haxhia. Sipas tyre, është ende herët për këtë hap.
(Neil Hoxha)