Aksidenti tragjik në Himarë,
Prishtina ngushëllon Tiranën

Aksidenti tragjik në Himarë, <br />Prishtina ngushëllon Tiranën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve”.

“Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë”, thuhet në telegramin e presidentes.
Gjithashtu, kryekuvendari Jakup Krasniqi në telegramin ngushëllimin dërguar kryeparlamentares Topalli shkruan se Kosova me keqardhje dhe dhembje të thellë mëson lajmin për aksidentin tragjik në Himarë, ku humbën jetën një numër studentësh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju shkëlqesi, me lejoni që në emër të Kuvendit dhe të popullit të Kosovës, si dhe në emrin tim, të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dhembjen e thellë për familjarët që humbën më të dashurit e tyre sot në Himarë, ndërsa studentëve të plagosur u uroj shërim sa më të shpejtë.
Duke ju siguruar se institucionet dhe populli i Kosovës e kanë përjetuar rëndë këtë tragjedi ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me student, afër Himarës, ku humbën jetën 11 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata”.

“Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta”.

“Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një jetë më të mirë”, thuhet në telegramin e kryeministrit.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur tronditjen e thellë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një numër i të rinjve dhe shumë të tjerë janë plagosur.

“Në këto çaste të rënda, ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejtë të kësaj situate tragjike.
Ngushëllimet më të thella familjarëve të studentëve të aksidentuar, qyetarëve dhe prijësve të institucioneve të Republikës së Shqipërisë u kanë shprehur edhe  Lidhja Demokratike e Kosovës,  Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’! Olen Cesari flet për Report Tv: Promovojmë Shqipërinë në botë

Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’! Olen Cesari flet për Report Tv: Promovojmë Shqipërinë në botë