Fier- Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e mjetit tip 'Benz' që u përplas me makinën tip 'Audi' në aksin Levan-Fier, si pasojë e të cilit humbi jetën një grua shtatzënë. Arrestimi i tij siç thuhet në njoftimin e shpërndarë ka ndodhur një ditë më parë.
Sipas policisë, mjeti i drejtuar nga Edmond Asllani, vjeç 31 u përplas fillimisht me një tjetër 'Benz' e më pas me 'Audi'-n ku udhëtonte viktima Majlinda Troka.
"Më datë 21.08.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi Edmond Asllani, vjeç 31, banues në Patos, pasi në aksin rrugor Fier-Vlorë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, është përplasur me mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin L.T., vjeç 32, banues në fshatin Sheq Musalalaj dhe me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetin A.T., vjeç 64, banues në fshatin Martin. Si pasojë ka humbur jetën pasagjerja në mjetin tip “Audi”, shtetasja M.T., vjeçe 27, banuese në fshatin Martin si edhe aktualisht ndodhen në spital shtetaset L.T., 7 vjeçe dhe K.T., vjeçe 41, banuese në fshatin Qarr, pasagjerë në mjetin “Audi” dhe drejtuesi i mjetit "Benz" shtetasi L.T., 32 vjeç dhe i mituri Xh.T, 1 vjeç. Neni 290/3 i Kodit Penal",- thuhet në njoftimin e policisë.
Pak më parë në një prononcim për Shqiptarja.com, një nga të mbijetuarat e aksidentit, shtetësja Valentina Troka deklaroi se ishte mjeti i drejtuar nga Edmond Asllani ai që i përplasi, pasi kishte tentuar të parakalonte një tjetër 'Benz'.