Ditën e sotme, babai i ministres Adea Pirdeni (ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin), është përfshirë në një aksident rrugor dhe për fat të keq ka humbur jetën.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën ‘Bardhyl’ në Tiranë. 87-vjeçari Luan Pirdeni ka qenë duke lëvizur me biçikletë, në momentin që është përplasur nga një motomjet.
Pas aksidentit, Luan Pirdeni është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, i është dhënë gjak, por nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Ministrja Adea Pirdeni ka qenë pranë tij gjatë këtyre momenteve në spital. Më herët, deputetët ndërprenë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, sepse thanë se gjendja shëndetësore e babait të ministres ishte shumë e rëndë dhe disa prej tyre po shkonin atje.
Policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Sejdi Milla, drejtuesin e motomjetit që përplasi babain e ministres, ndërkohë grupi hetimor vijon për punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Lajm në përditësim...
Komente










