ELBASAN- Dy shoqërues të presidentit të Republikës Bujar Nishani janë aksidentuar me makinë mëngjesin e sotëm në rrugën Peqin-Elbasan. Makina tip fuoristradë me targa TR 4234 K doli nga rruga në afërsi të fshatit Lolaj duke u përplasur.

Nga aksidenti gjeti vdekjen drejtuesi i mjetit, Arben Zhuzhi ndërsa i plagosuri është Vilson Tabaku pasagjer. Burimet thanë se Zhuzhi udhëtonte me një makinë të Gardës. I plagosuri nga spitali i Elbasanit është dërguar me urgjencë drejt spitalit Ushtarak. Sipas policisë shkak ka qenë lagështia e rrugës dhe shpejtësia e madhe me të cilën mund të kenë qenë duke udhëtuar. Vazhdojnë hetimet për të zbardhur në rrethanat e aksidentit.

Mendohet se makina e cila u aksidentua është pjesë e eskortës që do të shoqëronte presidentin Bujar Nishani në Ohër. Dy gardistët ishin nisur nga Tirana drejt Qafë Thanës dhe do të kontrollin aksin rrugor për të vendosur lidhjet me policitë lokale. Pas kësaj makine, pak kohë më vonë, do të kalonte dhe eskorta që shoqëron presidentin Nishani, informon gazetari jonë Arsen Rusta.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë dje nga presidenca u mësua se sot në orën 14:00 Nishani do të zhvillojë një takim informal në Ohër, me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Pas takimit, që do të mbahet në vilën Biljana, në Ohër, dy presidentët rreth orës 14.30 do t’u drejtohen gazetarëve me një konferencë të shkurtër për shtyp.
(sg/shqiptarja.com)