Kryebashkiaku i Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni, është përfshirë në një aksident rrugor teksa po kthehej me makinë nga një takim në një prej fshatrave të njësisë administrative ‘Ballaban’.

Klement Ndoni mësohet se kur ka humbur kontrollin e makinës, është përplasur me bordura anësore dhe më pas ka dalë nga rruga. Së bashku me të, në automjet kanë qenë dhe dy persona të tjerë: Sandër Seferi dhe Hodian Selmani, ky i fundit kryetar i Partisë Socialiste në Këlcyrë.

Ndonëse ka marrë plagë të rënda në njërin krah, kryebashkiaku Ndoni ndodhet për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën. Dy personat e tjerë raportohen se janë plagosur lehtë. Ata janë dërguar gjatë natës në spitalin rajonal 'Omer Nishani' të Gjirokastrës, për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Rrethanat e ngjarjes nuk dihen ende zyrtarisht, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë.