Ngjitja në Majën e Jezercës ka rezultuar fatale për një apliniste kroate 43 vjeçare e cila ka rrëshkitur nga lartësia për shkak të terrenit të thepisur malor dhe ka ndërruar jetë.

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftimin nga grupi i aplinistëve kroatë prej 8 personash, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur "Maja e Jezerces".

 “Njëra nga anëtaret e grupit ka rënë nga një terren i thepisur malor dhe me bore”, kanë njoftuar ata. 

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, kanë shkuar bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.   

Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan por fatkeqësisht turistja kroate, kishte ndërruar jetë. Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe transportimi me helikopter, drejt morgut.  

Pas disa orësh kërkimi u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e shtatë turistëve të tjerë. Pesë prej alpinistëve kroatë të ndihmuar nga Shërbimi i kërkim shpëtimit malor të Kosovës po kthehen tek mjetet e tyre në territorin e Malit të Zi nga ku edhe kishin hyrë në territorin shqiptar. 

Ndërsa 2 turistë të tjerë kroatë u transportuan me helikopter në qytetin e Bajram Currit. Në operacionin e kërkim shpëtimit mori pjesë edhe reparti i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
Dalin pamjet e operacionit të shpëtimit të turistëve kroatë në Majën e Jezercës, alpinistja gjendet e vdekur (VIDEO)

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar pamjet e operacionit të kërkim shpëtimit në Majën e Jezercës, ku fatkeqësisht një prej alpinistëve kroatë humbi jetën nga rrëzimi, por u bë i mundur shpëtimi i tetë të tjerëve.

Ora 18:30
Turistët bllokohen në Jezercë, Balla: 2 janë dërguar drejt Bajram Currit! 5 të tjerët janë kthyer në Mal të Zi

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me vdekjen e alpinistes 43-vjeçare dhe bllokimin e 7 të tjerëve në majën e Jezercës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balla shkruan se 5 nga alpinistët kroatë po kthehen tek e mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi, ndërsa dy turistët e tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit.

“Prej disa orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në një operacion të vështirë në malin e Jezercës, për t'i dhënë ndihmë një grupi aplinistësh që kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek e mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit”,-shkruan Balla.

Ora 17:36
Momenti kur helikopteri i Emergjencave u shkon për ndihmë alpinistëve kroatë të bllokuar në Majën e Jezercës (VIDEO)

Ky është momenti kur helikopteri i Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes u ka shkuar në ndihmë disa turistëve që vijojnë të mbetën të bllokuar na Majën e Jezercës, ku një prej tyre ndërroi jetë pasi u rrëzua nga lartësia. Pamjet i ka publikuar Ministria e Mbrojtjes.