Policia e Tropojës ndaloi drejtorin e Shërbimeve Publike në bashkinë e Qytetit dhe drejtuesin teknik të punimeve, një ditë pas vdekjes së një punëtori të bashkisë gjatë vendosjes në rrugë të një shtylle ndriçimi.
Sipas policisë, drejtori Ndriçim Gjocaj 36 vjeç, dhe drejtuesi teknik i punimeve Gëzim Hasanpapaj 60 vjeç, të dy banues në bajram Curri, dyshohen për veprën penale, “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”
"Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën", njofton Policia.
Ngjarja ndodhi në rrugën e Dobravës, aty ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve do të vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës. Për shkak të peshës së madhe ata humbën ekuilibrin dhe shtylla kapi telat elektrikë duke përcjellë rrymën te punëtorët. Muhamet Sylisufaj, 59 vjeç humbi jetën, ndërsa 3 të tjerët morën ndihmë mjekësore në spital.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë












Komente
Komento