POGRADEC- Një 22-vjeçar është arrestuar, pasi mbrëmjen e së dielës aksidentoi për vdekje një person. Në pranga ka rënë i riu E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, i cili u largua nga vendi i ngjarjes ku viktimë mbeti Pajtim Gjyli.

Bëhet fjalë për ngjarjen e regjistruar në fshatin Buçimas të Pogradecit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për 2 vepra penale,  "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".

“Identifikohet dhe arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit i cili mbrëmjen e djeshme, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas në fshatin Buçimas, u largua nga vendngjarja.Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 24.01.2021, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku u aksidentua me pasojë vdekje këmbësori P. Gj., bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar së bashku me mjetin tip "Benz", të cilin ky shtetas drejtonte.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit", shtetasi E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme”, njofton policia.