Grupi i Inez Hajrullës qëndron edhe pas vrasjes së Bledar Birçajt në Vlorë në 2021, episod tashmë i zbardhur nga SPAK. 40-vjeçari, Bledar Birçaj u vra në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Në drejtim të automjetit u qëllua mbi 30 herë, ku 7 plumba i morën jetën.

Në 2021 kur u organizua atentati, Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, dhe pista e hetimeve ishte përplasja mes bandave për trafik droge. Në makinë me të rezultoi të ishte edhe një 20-vjeçar, si edhe një polic, Granit Deromema, i cili më vonë u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit. 

Emri i Birçajt nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Birçaj ishte edhe një pronar i një lokali në Vlorë.

Një tjetër ngjarje ku ka qenë subjekt institucioneve ligjzbatuese është ajo e vitit 2010, kur Birçaj së bashku me vëllanë e tij kanë dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, personin me inicialet F. H. Për këtë në atë kohë prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë.


Lajmi kryesor:

Porositën dy vrasje e trafik droge, SPAK godet grupin e Hajrullës! 8 urdhër arreste, shpëton i forti i Vlorës dhe miku i tij! Në pranga një shef policie, kapet ish-efektivi në Zvicër