Qeveria ka vijuar aksionin për kontrollin e karburanteve, ndërsa bën të ditur se do të ketë edhe ashpërsim të masave administrative dhe gjobave për shkelësit e përsëritur. Shkeljet penale do të çohen në prokurori, njofton MZHETS.
Gjatë këtyre katër ditëve operacione kontrolli janë kryer në Durrës, Tiranë, Fier, Lezhë dhe Berat. Pesë pronarë apo administrator pikash karburanti janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim policor.
Ndërkaq, nga 43 kontrolle të ushtruara, ka rezultuar se 21 subjekte kanë fshehur të ardhurat. Pesë të tjera janë proceduar edhe për ruajtjen, magazinimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë.
Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se 6 pika tregtimi hidrokarburesh janë bllokuar. "Ndërkohë nga Inspektoriati Qendror Teknik janë konstatuar 7 subjekte që tregtonin karburant cilësi të manipuluar, ndërkohë që 3 prej tyre janë bllokuar, si pasojë e abuzimit me cilësinë e nën-produkteve të hidrokarbureve. Po kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka penalizuar 17 subjekte për përdorim të pompave manual, janë konstatuar 3 subjekte pa kasë fiskale, që ka rezultuar në bllokimin e tyre dhe cuarjen për ndjekje penale dhe po kështu është çuar për ndjekje penale edhe një subjekt i cili ka rezultuar i pa regjistruar", bën të ditur Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Sipas MZHETTS-së, aksioni po vazhdon shtrirjen e tij në të gjithë qarqet e Shqipërisë, me synim kontrollin dhe çertifikimin e sigurisë, sasisë dhe cilësisë së karburanteve. "Në kuadër të aksionit do të ketë edhe ashpërsim të masave administrative dhe gjobave për shkelës të përsëritur, ndërkohë që shkeljet penale do të cohen për ndjekje në prokurori", shprehet MZHETTS.//atsh/