FIER- Pas një seance maratone prej 8 orësh, Gjykata e Fierit ka lënë në burg CEO-n kinez të kompanisë Bankers, Hong Ping Xiao, dhe ish-CEO Leonidha Çobo. Po ashtu, gjyqtarja Gladiola Bregu konfirmoi masat e sigurisë edhe për 8 persona e tjerë, punonjës të sektorit Financiar dhe të departamentit Juridik, respektivisht 5 në "arrest shtëpie" dhe 3 me "detyrim paraqitjeje". 

Konkretisht në arrest shtëpie janë lënë personat me inicialet: L.W., A.K., F.C., D.G., dhe K.Xh. Kurse në detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, personat M.F., M.I., dhe E.A.

Seanca maratonë nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe zgjati deri në 17:30, ku kryeprokurori i Fierit, Elion Mustafaj ka paraqitur fillimisht kërkesën për caktim të masave të sigurisë, e cila përmbante një material voluminoz prej 120 faqesh. Më pas, të gjitha palët kanë dhënë pretendimet e tyre, ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije se të gjithë të akuzuarit janë shprehur se janë të pafajshëm, duke pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit për pastrim parash apo shpërdorim detyre.

Të parët që mbërritën në sallën e gjyqit ishin CEO dhe ish-drejtori Çobo, të cilët u sollën në ambientet e gjykatës me një furgon të policisë. Report Tv arriti të zbardhë edhe mbrojtjen e ish-drejtorit Çobo, i cili pretendon se periudha e hetuar nga Prokuroria e Fierit, i referohet viteve 2018 e në vijim, kur Çobo nuk ka më pasur asnjë funksion në kompani.

Në mbrojtjen e tij theksohet se Çobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, hetime që është pushuar.

“Çobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimet penal të vet Bankers, pas ndryshimit të pronësisë në vitin 2018, për shpërdorim të kompetencave të administratorit, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion në sektorin privat, etj, duke kërkuar në përfundim të hetimeve pushimin e procedimit. Kërkesa e prokurorisë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë”, tha mbrojtja e Çobos në sallën e gjyqit.

Në total, Gjykata e Fierit lëshoi 14 masa sigurie, ku 10 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 4 punonjës janë ende në kërkim. Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive. Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, "Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në", "Fshehje e të ardhurave", "Pastrim i produkteve të veprës penale", "Shpërdorim detyre" dhe "Moskryerje e detyrave nga organet tatimore", duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.

Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend. “Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.

Akuzat
“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”,
“Fshehja e të ardhurave”,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
“Shpërdorimi i detyrës”
“Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”
SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesi dhe mireqenie: 08/07/2025 18:34

    Kta duhat te bejne aq vite burg per cdo milion euro te vjedhur,dhe leket te gjitha mbrapsht 1 me 1 popullit,fytyra te poshtra

    Përgjigju
  • Iris: 06/07/2025 05:09

    Duhet pershendetur kjo iniciative per hetim e per t'i nxjerre te akuzuarit para ligjit nga gjykata dhe hetuesia e Fierit,sepse kjo ceshtje duket si ato qe rendom perfundojne ne dyert e SPAK-ut.Pavaresisht se si do te perfundoje,me vjen mire qe drejtesia e re ne qytete te tjera,si ne kete rast Fieri,po gjen ze e force te merret me raste te tilla kaq te renda.

    Përgjigju
  • ylli: 06/07/2025 01:22

    ngordhini ne dru qente...

    Përgjigju
  • Faruk: 05/07/2025 20:23

    Çudi që nuk jepni emrat. Edhe kur vjedhin pula e marrim vesh dhe emrin e komshiut. Në këtë rast mister...

    Përgjigju
  • Miku: 05/07/2025 19:51

    Çobo nuk eshte me drejtor nga 2015, se pse e lene ne burg (se cfare provash do prishe), lere arrest shtepie, plus qe i qenka pushuar ceshtja njenhere

    Përgjigju
  • Isufi: 05/07/2025 19:23

    Po i dalin petat e byrekut beharit bolvit

    Përgjigju
  • Tani: 05/07/2025 19:11

    Shko shikoni dhe beharin e bolv oli dhe olsi ca ben me faturimet te habiteni nga hajduteria

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 10 Korrik, 08:12

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?