Breshëri molotovësh, fishekzjarrësh e dhunë, asgjë më shumë nuk ishte protesta e ditës së djeshme e organizuar nga Partia Demokratike. Pamjet janë të paprecedenta, të mitur e të rinj të maskuar, me çanta të mbushura me molotov që i shkonin pas Berishës, dhunë drejt efektivëve të policisë dhe godinave të shtetit, e më e rënda, zjarr tek xhamia e Namazgjasë teksa brenda besimtarët falnin namazin.

Siç shihet dhe nga video, e publikuar në faqen e ministres së Brendshme Albana Koçiu, militantët e Berishës sillen si mercenarë, të drejtuar nga deputetë të Partisë Demokratike, lëshojnë molotovë e hedhin mjete piroteknike në drejtim të kordonëve të policisë.

Ashtu si dhe në protestat e tjera, demokratët rekrutojnë të mitur për t’i nxjerrë në vijën e parë. Për të ruajtur sa më shumë identitetin, ‘grupi i zjarrit’ ishte i maskuar mirë, kësaj radhe u kishin dhënë dhe çadra për të fshehur fytyrat dhe pse nuk kishte asnjë pikë shi. Vetë Berisha i quajti mbështetësit e tij ‘kryengritës të armatosur’.

Për shkak se policia nuk kishte aprovuar zhvillimin e kësaj proteste dhe se përgjegjësia rëndonte e gjitha mbi organizatorët e PD-së, kësaj radhe deputetët zgjodhën të luanin rolin e inspektorit dhe të mos përballeshin drejtpërdrejt me policinë. Por përsëri Flamur Noka, Belind Këlliçi, Gazment Bardhi e të tjerë, nuk mund të mos bënin atë që dinë të bëjnë më mirë, të përfshihen në sherre të dhunshme.

Në mbyllje të protestës, ata u konfliktuan me disa civilë të pretenduar e më pas me efektivët, me pretendimin se po terrorizojnë qytetarët.