TIRANE -  Sot në Komisionin e Ligjeve mazhoranca rrëzoi dekretin e presidentit Nishani i cili i ktheu për rishqyrtim Kuvendit, aktin normativ për nëpunësin civil. Aktin normativ shtyn për gjashtë muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.

18 deputetë të mazhorancës votuan kundër, ndërsa 10 deputetë votuan pro dekretit me nr. 8383, datë 08.11.2013 “Për kthimin e ligjit nr.161/2013 “Për miratimin e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 5, datë 30.09.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil”.

Në këtë mënyrë akti normativ kalon në votim seancën e ardhshme në Kuvend, ku duhet të marrë sërish 84 vota dhe hyn automatikisht në fuqi pasi Presidenti nuk ka të drejtë që ta rikthejë për rishqyrtim

DEBATI E REPLIKAT
Para se të hidhej në votim dekreti, pati debat mes deputetëve të PS-së dhe të PD-së.  Mazhorance-opozitë u përplasën në mbledhje për argumentet ligjorë të presidentit për antikushtetueshmërinë që kishte bërë qeveria sipas tij. Për maxhorancën, Nishani u bë palë me PD kundër qeverisë. Ndërsa sipas të djathtëve dekreti i presidentit ka ligjshmëri të plotë, ashtu si dhe argumentet e tij për të kthyer mbrapsht ligjin. Debati ka vijuar edhe me fyerje personale mes deputetit të PD-së, Arben Ristani dhe deputetit të PS-së, Pirro Lutaj informon gazetarja jonë Joniada Koçi.

Valentina Hysi: “Argumentet e presidentit, që nuk bëhet ndryshimi i një ligji me akt normativ,nuk është i vërtetë. Ka një lapsus në arsyetimin e presidentit, kur thotë që ligjet vijnë direkt pas Kushtetutës. Arsyetimet e presidentit nuk qëndrojnë pasi akti normativ është ligjor dhe kaloi me shumicë votash. Argumenti i Nishanit që është prishur konsensusi ndërpartiak, nuk ka referencë kushtetuese, as ligjore. Presidenti ka mbajtur anën e opozitës, duke sjellë argumente që më herët i ka sjellë e djathtë. Propozojmë që  të rrëzojmë dekretin e presidentit ndaj aktit normativ
Ristani: Të na sqarohet se cila është urgjenca e këtij akti?
Hysi: Z.Halimi sa llafazan që jeni bërë mo burr.
Halimi: Kur vjen dekreti i presidentit ky komision ka për detyrë që të diskutojë ato çështje që ngre dektreti. Kush janë palë në këtë proces, Vasilika dhe presidenti? Nuk është Vasilika edhe pse është shkencëtare fakulteti. Kur nevoja e urgjenca s’ekzistojnë presidenti thotë që nuk duhet që një akt normativ të shbëjë ligjin me 3/5. Por sot duhet të merremi me qeverinë.
Vasili: o Baçi më ler mo të them unë dy fjalë. Argumentetet që ne po diskutojmë këtu, janë argumente të diskutuara gjerësisht në këtë komision. Kemi ndarë mendime të ndryshme, s`kemi pse luajmë me njeri-tjetrin.
Bylykbashi: Nuk besoj se kjo mazhorancë kishte mandatin që të ndryshonte një çështje kaq madhore, sepse edhe votën nuk e kishte për 84 mandate, pavarësisht se ca i bleu rrugës. Nëna e të këqijave në një demokraci është kur blehet vota. Vazhdoni të jeni një pulë e heshtur me kokë të ulur për atë kryeministër që vetëm ligjin nuk e kupton.
Braho: Nuk e di se si e keni kohën, por në orën 2 keni mitingun. Ikni në miting dhe mos e zgjasim. Z.Xhafaj ka ardh koha për votim.
Ristani: Është shumë e gabuar që të sillesh me të këtë lloj arrogance.
Lutaj: Po ti je mësuar me arrogancë që kur të fusnin krahun në institucione...
Ristani: Ti kishe ato shijet që ka kryetari yt, por unë s`jam këtu për të ta futur. Patjetër do ta diskutojmë edhe këtë punën e të futmes.
Luatj: Po ti një balash që ke prishur zgjedhjet. Më tregoke mua ti shijet.
Xhafaj: Ta lëmë z.Ristani që të flasë.
Fino: Si ta lëmë? Do kërkojmë largimin tënd kryetar. S`mund të lejojmë që të fyejnë në komision. Merr masa për të ndaluar ofendimet.
Lutaj: Merremi me atë plehrë...
Ristani: Atë plehrë e bisedojmë bashkë sa të dalim. S`është këtu vendi. Unë s’dua të bie në nivelin tënd. Ke ardhë vonë në Tiranë ti.
Xhfaja: Z.Lutaj do t`iu lutesha shumë që të ruani qetësinë.
Ristani: Jeni duke ecur në rrugën e paligjshmërisë në mënyrë konseguente. Lidhur me aktin. Ka shumë të drejtë presidenti që akti nuk mund të ndryshojnë një ligj që është miratuar me 3/5. Në mënyrë të gabuar relatorja thotë që akti s’prek ligjin në përmbajtje. Si do dilnin aktet nënligjore? Keni cënuar rëndë sigurinë juridike. Këmbanat e të keqes nuk bien vetëm për opozitën, por edhe për ju.
Bylykbashi: Në logjikën e këtyre 60 ditëve të para , kjo qeveri ska sjellë asnjë ligj, nuk po prodhon instrumente ligjore. Këtë vend nuk e qeverisë më as akti normativ. Mund të merrni një mazhorancë me 20-mijë lëkë. Mund të merrni dhe një bashki.
Halimi: Kur sytë ti zë pushteti, është rëndë.
Olldashi: Arroganca është instrument që konsumon shumë më shpejt një mazhorancë.
Subashi: Deri diku e prisja qe presidenti të bëhej pjesë e kësaj loje politike sepse nuk kishte si ta humbiste rastin se edhe kësaj radhe të tregonte që ishte pjesë e opozitës. Në fakt duke lexuar arsyetimin që ka bërë presidenti, së pari konstatoj dy gjëraë pari që ndoshta mund të jetë rasti i parë, i vetëm që mund ta ketë shkruar vetë ai. Jam i bindur që kjo nuk është vepër e këshilltarëve juridik të tij, sepse nuk besoj që niveli i tyre të ishte aq i ulët nga pikëpamja juridike. Në fakt argumentet që ka përdorur më shumë shkojnë në favorin tonë sesa të opozitës.

AKTI NORMATIV U KTHYE NGA PRESIDENTI
Pak ditë pasi Kuvendi miratoi aktin normativ me votat e shumicës, presidenti Nishani e ktheu atë për rishqyrtim nga deputetët, pasi, sipas tij, ligji ndryshohet vetëm përmes një ligji tjetër, dhe jo me akt normativ. "Një akt normativ nuk mund të ndryshojë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar votash dhe me konsensus të gjerë parlamentar" thuhet në njoftimin e Presidencës, që citon z.Nishani. Ndërkohë që dje Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se dekreti do i nënshtrohet procedurës transparente dhe konstruktive. Qeveria e ndërmori këtë hap me argumentin se ligji ishte i pazbatueshëm, ndërsa opozita deklaroi se kjo masë u mor për të shkarkime politike në administratë.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)