Partia Socialiste, Sparta Ngjela i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Aleksandër Biberaj i FRD-së, Kreshnik Spahiu i AK-së, Luan Rama i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe PDIU u shprehën sot tepër të indinjuar në lidhje me aktin e rëndë të tentativës për vetëflijim nga ish i burgosuri politik Gjergj Ndreca dhe akuzuan qeverinë si fajtore. Ata i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë për të zgjidhur sa më parë këtë situatë.

PS: AKTI I VETEFLIJIMIT, PERGJEGJESI E KRYEMINISTRIT
Partia Socialiste e ka konsideruar të patolerueshme indiferentizmin e shfaqur nga ana e kryeministrit të vendit, Sali Berisha ndaj situatës së krijuar nga ish- të burgosurit politik, sidomos pas aktit të vetëflijimit nga ana e Gjergj Ndrecës. Në një deklaratë për mediat, anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla ka fajësuar kreun e mazhorancës, se ky akt ekstrem i ndërmarrë nga ana e grevistit Ndreca është pasojë e një premtimi të pambajtur nga qeveria.

"Le t’i shohë edhe Sali Berisha ato pamje që kanë traumatizuar mbarë shoqërinë dhe ta kuptojë se kjo që ka ndodhur është vepër e tij. Është përgjegjësi e Sali Berishës që një ish i përndjekur duhet t’i vërë flakën vetes për të marrë atë që vetë Sali Berisha ia ke premtuar për kaq e kaq vjet", theksoi Nikolla.

PDIU: ÇESHTJA E GREVISTEVE TE MOS POLITIZOHET
Reagimeve për situatën e krijuar nga ish-të përndjekurit politik i është bashkuar edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet. PDIU ka kërkuar që kjo situatë e krijuar të mos bëhet pjesë e debateve politike, por të konsiderohet si një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme. “PDIU beson se ne kemi përgjegjësi të madhe që t’i japim një zgjidhje përfundimtare dhe të plotë problemit të ish-të përndjekurve dhe prandaj u bën thirrje të gjitha partive politike shqiptare të të gjitha krahëve që të heqin dorë nga pozicionet politike dhe retorika partiake por të angazhohen në mënyrë të sinqertë për një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë”, theksohet në një deklaratë për mediat nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Po ashtu, kjo parti kërkon edhe zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të trajtuar me seriozitet çështjen e ish-të përndjekurve politik.


LSI: TE GJENDET DIALOGU PER GREVISTET

Lidhur me situatën e krijuar nga greva e ish-të përndjekurit politik ka reaguar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një deklaratë për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka shprehur keqardhjen për situatën e krijuar, si dhe ka kërkuar të gjendet dialogu për një zgjidhje që të dominohet mbi të gjitha nga humanizmi. “Një shoqëri demokratike, një shoqëri evropiane, ashtu siç është shoqëria shqiptare, duhet të gjejë rrugë dhe mjete të komunikimit demokratik. Prandaj në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim unë i ftoj autoritetet përfaqësuese të qeverisë të gjejnë gjuhën e komunikimit dhe të dialogut për të shkuar tek një zgjidhje që të dominohet mbi të gjitha nga humanizimi”, u shpreh Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së ka kërkuar një vëmendje maksimale për të mbrojtur jetën e të gjithë grevistëve të urisë, sidomos të ish-të përndjekurit Gjergji Ndreca, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e QSUT-së për ndërhyrje mjekësore, pasi tentoi të vetëflijohej, duke i vënë flakën vetës, mëngjesin e sotëm.

FRD: PARLAMENTI TE MBLEDHE SEANCE TE JASHTEZAKONSHME

Përkeqësimi i situatës së ish- të burgosurve politik, ku njëri prej tyre mëngjesin e së hënës i vuri flakën vetës ka sjellë reagime të ashpra nga partitë politike në vend. Anëtari i Partisë Fryma e Re Demokratike, si dhe deputeti Gazmend Oketa u ka bërë thirrje kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe partive politike parlamentare të zhvillojnë me urgjencë një seancë të jashtëzakonshme parlamentare lidhur me grevën e urisë së ish- të përndjekurve politikë. "Një përfaqësi e ish- të përndjekurve politikë po zhvillon në Tiranë një grevë urie, forma më e ekstreme e protestës demokratike. Ata provuan që kërkesat e tyre t’i adresojnë në rrugë institucionale, të dialogojnë me qeverinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të tërheqin vëmendjen e parlamentit dhe të opinionit publik dhe në konsumim të të gjitha këtyre etapave, vendosën të kalojnë në grevën e urisë. Konkretisht, me cilësinë e deputetit, qytetarit dhe politikanit po ju drejtohem me një kërkesë publike për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të debatuar mbi kërkesat dhe rrugëzgjidhjen e problematikës së ish- të përndjekurve politikë", u shpreh Oketa në një njoftim për mediat. Kreui i FRD-së shtoi se parlamenti shqiptar duhet të ndjekë edhe zbatimin e akteve ligjore të miratuara prej tij, përfshirë edhe paketën legjislative për kompensimin e plotë të ish- të përndjekurve politikë.

KODHELI : TE BEHET SEANCE DEGJIMORE NE KUVEND
"Një ditë e trishtuar e nisur me një veprim sublim". Është ky komenti i deputetes socialiste Mimi Kodheli, në lidhje me gjestin e ish-të përndjekurit Gjergj Ndreca, që për A1Report, vetëm pak minuta pas mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë ku u aprovua buxheti faktik për vitin 2011, Kodheli foli për një buxhet të dështuar që ka të gjitha mundësitë të mbylli një plagë të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë në Komisionin e Ligjeve pas aktit të vetëflijimit të Ndrecës deputetët e opozitës kërkuan seancë dëgjimore në Kuvend me ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi.

PS: TË THIRRET URGJENTISH HALIMI

Partia Socialiste në Komisionin e Ligjeve ka kërkuar seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi.
“Ne do të depozitojmë një kërkesë për seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë. Përfaqësuesit e ekzekutivit duhet të përgjigjet. Situata është urgjente dikush duhet të negociojë”- tha deputeti socialist Pandeli Majko, njëkohësisht anëtar i këtij komisioni por dhe anëtar i kryesisë së PS-së. Nga ana e tij Rusmali tha se do të përcaktohet kalendari i punimeve.

Ora 10: 19 BIBERAJ TE GREVISTET: QEVERIA TE HEQE DORE NGA ARROGANCA

Aleksandër Biberaj anëtar i Frymës së Re Demokratike është gjendur pranë grevistëve me të mësuar lajmin e rëndë të djegies së Gjergj Ndrecës. Në një prononcim për Tv A1 Report ai bëri apel për të hequr dorë nga arroganca e të ulet e të bisedojë me grevistët.
“Qeveria të heqë dorë nga arroganca dhe të bisedojë pa tjetër me ta. Këta qytetarë nuk duhet të lihen në këtë gjëndje. Situata shëndetësore dhe psikologjike është e rënduar. Ata e kishin paralajmëruar këtë situatë por dhe e ndërmorën veprimin”- tha Biberaj.

SPARTAK NGJELA: QEVERIA S’KA VESHE
“Qeveri që s’ka veshë të dëgjojë zërin e njerëzve kurrë nuk është e popullit të vet, janë uzurpatorë akti ishte i rëndë. Urojmë të shërohet sa më shpejt”- deklaroi Spartak Ngjela, kryetari i Partisë “Ligj dhe Drejtësisë” që vizitoi në spital të burgosurin politik Gjergj Ndreca.

SPAHIU: VETËFLIJIM NË REGJIMIN QË DREJTOHET NGA NJË MJEK

“Rasti i fundit është një disident cek. Një vetëflijim në regjimin e fundit në europë që drejtohet nga një mjek që tashmë është jashtë realitetit dhe katil. Shpresojmë se me ndihmën e Zotit ai të jetë jashtë rrezikut për jetën”- tha kryetari i AK-së Kreshnik Spahiu në një prononcim për median pas vizitës në spital të Gjergj Ndrecës.
(sg/shqiptarja.com)