Fjona Bashi, aktiviste e njohur e shoqërisë civile, e cila ndër vite ka sensibilizuar dhjetëra gra për rëndësinë e kontrollit të shëndetit të gjirit gjatë muajit tetor, sot për ironi të fatit është vetë një prej luftëtareve në këtë betejë.

Në aktivitetin ‘Ta tham në Shkodër’, zhvilluar në kuadër të Muajit Rozë, Fjona ndau historinë e saj me qytetin ku ka lindur, duke sjellë një mesazh që frymëzoi të gjithë të pranishmit.

Ajo tha se nuk është ndalur asnjëherë te frika, por te fitorja dhe se për çdo grua, Tetori Rozë duhet të jetë çdo ditë, kujdesi ndaj vetes duhet të bëhet mënyrë jetese, jo vetëm fushatë.

‘Ana psikologjike ka qenë edhe ajo që më ka dhënë kurajë që të ecë përpara. Kontrolli është çelësi kryesor, kjo sëmundje nuk pyet për moshë, ajo vjen. Po ne kemi në dorë për ta zbuluar sa më part të jetë e mundur. Frika është armiku i kësaj sëmundje, frika nuk e zhduk, por bëhet armik. Unë në asnjë moment nuk jam fokusuar tek drika por tek forca’, tha ajo.

Pas takimit, dhjetëra aktiviste morën pjesë në një pedalim sensibilizues në rrugët e Shkodrës, duke përhapur mesazhin për kujdes dhe ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit.