TIRANE- Dita Ndërkombëtare e Romëve është shoqëruar me një sërë aktivitetesh por edhe me protesta në disa qytete të vendit. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka organizuar një aktivitet për fëmijët e këtij komuniteti në të cilin ka ndarë me ta histori të integrimit të anëtarëve të komunitetit romë në shoqëri dhe i ka prezantuar ata me ambjentet e brendshmë të sallës së seancave plenare. Përfaqsues të këtij komuniteti kanë lexuar një letër që i drejtohej kreut të Kuvendit Meta dhe ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Në letër ata shprehnin shqetësimin e tyre në lidhje me çështjen e regjistrimit të fëmijëve romë në shkolla, trajtimin shëndetësor, mbështetjen psikologjike dhe përfshirjen e historisë rome në tekstet shkollore. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj është takuar me disa familje rome në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Tufinë. Sipas ministrit, vëmendja më e madhe e ministrisë së drejtuar prej tij do të fokusohet  në çështjen e punësimit dhe shëndetësisë.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, institucionet rajonale të kësaj ministrie, si dhe me spitalet private, kemi arritur të kemi një kontroll mjekësor të përgjithshëm, që asnjë fëmijë dhe i moshuar të mos ngelet pa u vaksinuar, asnjë grua shtatzënë të mos ngelet pa u trajtuar me ndihmë mjekësore, në komunitet apo në qendrat spitalore”, u shpreh Veliaj. E pranishme në këtë takim ishte edhe zv/ministrja e Shëndetësisë Milva Konomi e cila premtoi shërbim dhe kujdes shëndetësor më të mirë ndaj këtij komuniteti.

E pranishme në shkollën “Bajram Curri”, ministrja e Arsimit Lindita Nikolli ka uruar të gjithë fëmijët rom dhe ka premtuar se do të punohet më shumë për arsimimin e tyre.Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi ka theksuar se falë zyrës së anti-diskriminimit që ekziston në këtë institucion janë hartuar një sërë masash në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim. Një aktivitet sensibilizues për këtë komunitet është zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Duke qenë se në këtë qytet ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të komunitetit rom, kërkesat për trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim kanë qenë kërkesat kryesore të tyre.

Protesta
Ndryshe nga gjithë qytetet e tjera ku romët kanë marrë pjesë në  aktivitetet e organizuara për ta, në Tiranë dhe Fier kanë qenë vetë romët që kanë zhvilluar protesta para Bashkisë dhe në rrugët e qytetit. Duke kërkuar më shumë vëmendje nga shteti, ata kanë kërkuar të mos ndihen të diskriminuar duke kërkuar të shihen si të barabartë në çështjen e punësimit, arsimimit dhe strehimit.Kanë qenë rreth 100 familje rome të cilat jetojnë në baraka në zonën e Selitës në Tiranë, të cilat kanë protestuar për strehim. Të mbledhur para Bashkisë së Tiranës, romët kërkuan nga ky institucuon një strehë për të futur kokën. Me anë të pankartave dhe të fotove që mbanin në duar ata kanë shprehur zhgënjimin e tyre nga qeveria dhe pushteti vendor. Protesta ka shkuar e qetë, por romët janë larguar të zhgënjyer pa marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e Bashkisë.

Shkrimi u publikua sot (9.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)