Nën kujdesin kuratorial të regjisorit dhe fotografit Renato Balla, Çelet sot në orën 19.30 në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë ekspozita “Rrëfenjat e vështrimit” me një seri fotografish personale, ku shpaloset jeta e zakonshme!

Në kuadër të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të regjisorit Kristaq Dhamo, familja në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit mbajnë sot në orën 18.00 tek 15-katëshi një mbrëmje përkujtimore, gjatë së cilës shfaqet dhe filmi “Tana” i restauruar.

Vijon e hapur në Galerinë e Artit Tiranë, ekspozita personale “Universi”  e artistit Gent Bushi

Pret vizitorët deri në 11 shtator në galerinë e artit “Zeta” projekti “Manifesto i dezertimit” i DebatikCenter.

Ekspozita “Darka e parë” e artistes Joana Dhiamandi e kuruar nga artisti Sead Kazanxhiu qëndron e hapur deri në 15 shtator në Parking Art Gallery pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare në Tiranë.

Valle, muzikë moderne dhe traditë, mbahet sot ë orën 20.00 në sheshin qendror në Divjakë koncerti “Verë festive” me pjesëmarrjen e grupit Urban Band dhe të artistëve të tjerë.

Fotografitë në bardhë e zi të vëllezërve fotografë Janaki dhe Milton Manaki, pjesë e Arkivës së Maqedonisë së Veriut dokumentojnë historinë, mënyrën e jetesës, etnografinë dhe momentet skenike. Ekspozita e rrallë e kuruar nga Luçjan Bedeni vijon e hapur deri në 5 nëntor në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër .

Për vogëlushë e familjarë, Cirku Kombëtar mban nesër ne orën 19.00 në sheshin e lodrave të “Lungomares” në Vlorë një sërë numrash të përzgjedhur.