Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni gjatë fundjavës në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Sezoni artistik shtator-dhjetor nis sot në orën 20.00 në Opera me shfaqjen 'Zemërimi i Zotave'. Orkestra Sinfonike e Teatrit e dirigjuar nga Jacopo Sipari Di Pescasseroli, e shoqëruar nga pianisti italian Giuseppe Albanese luan simfoninë nr.1 'Titan' nga Mahler dhe 'Rapsodi mbi një temë nga Paganini' të Rachmaininoff.
2. Java Kulturore e Azerbajxhanit vijon sot në orën 18.00 me shfaqjen e filmit 'Arshin Malalan' tek 'Reja', ndërsa në orën 20.00 mbahet një koncert i muzikës xhaz nga grupi 'Buta' në sheshin 'Italia' në Tiranë.
3. Qendrën e Artit “Agimi” vijon të mbajë deri në 5 shtator Festivalin Evropian të Filmit për të Rinj në Tiranë. Shfaqen sot nga ora 11.00 në orën 20.00 në Kinemanë e Jashtme të Piramidës, 6 produksione vendase e të huaja.
4. 8 komedi në 8 ditë. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në edicionin e tij të 10-të nis sot në orën 19.00 në teatrin "Andon Zako Çajupi" në Korçë me shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, vënë në skenë nga regjisori Dimitris Milonas.
5. Historia e një bletërritësi dhe kozmologe ndër vite, zgjedhjet dhe fjalët e tyre, vijnë në shfaqjen 'Yjësit' me autor Nick Payne dhe regji të Kriks Dumos sot dhe nesër në orën 19.00 në teatrin Petro Marko në Vlorë.