Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Me 8 vepra të piktorit Edi Hila dhe kurim të artistit Zef Paci, ekspozita “Territore të përvojave të jetuara” vijon e hapur për publikun deri në 10 gusht.
2. Festivali Ndërkombëtar i Folkut në Shqipëri sjell nga sot në orën 20.30, për katër net radhazi në Amfiteatrin e Tiranës 9 ansamble vallesh nga bota e rajoni që do të shpalosin përmes dancit ngjyrat e artit dhe të traditës.
3. Vijon e hapur në galerinë “Fab” ekspozita “Qeramika Atelie” me punime të studentëve të talentuar të Fakultetit të Arteve dhe e kuruar nga Blerina Pagria dhe Ergys Krisiko.
4. Ekspozita e veçantë “Darka e parë” e artistes Joana Dhiamandi qëndron e hapur deri në 15 shtator në Parking Art Gallery pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare në Tiranë.
5. Teatri i Kukullave ndal këtë mbrëmje në orën 19.00 në sheshin e Bashkisë Orikum, ku do të mbajë shfaqjen për fëmijë “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”, me regji të Aldjon Matarngasit dhe interpretim të Jorida Metës.
6. Me pjesëmarrjen e veçantë të poetes e politikanes, Sibel Halimi, Festivali i poezisë “Varg” mbajtur nga Qendra e Librit dhe Leximit nis nga nesër në orën 19.00, për katër net radhazi në Torrën Veneciane.