Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. ‘200 VJET STRAUSS’ NË SKENËN E TEATRIT TË OPERËS E BALETIT

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Ansambli Simfonik “Johann Strauss” i Vjenës sjell koncertin “200 vite Strauss ”, në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të mirënjohur dhe çeljes së Javës Kulturore Austriake në Tiranë. Koncerti do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 18:00.

2. “LULEBORË”, DY NETË FESTIVALI TË KËNGËS QYTETARE SHKODRANE

Festivali i Këngës “Luleborë” do të mbahet mbrëmjen e sotme dhe të nesërme prej orës 18:00 në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ky festival sjell krijime të reja muzikore, që ruajnë dhe pasurojnë traditën e këngës së autorit, të kultivuar ndër vite në qytetin e Shkodrës.

3. NATA E FILMIT ITALIAN NË KINEMANË “MAKS VELO” NË TIRANË

Këtë të hënë në orën 19:00 në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë do të mbahet Nata e filmit italian.

4. “PRINCESHA ARGJIRO” DHE “ROZAFA” NË DY FILMA TË ANIMUAR

“Nova Tale - Narrativa të reja mbi tregimet e moçme” është aktiviteti që do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 18:30 te Qendra Kulturore “Tulla” në Tiranë. Të pranishmit mund të ndjekin premierën e dy filmave të shkurtër të animuar, që risjellin legjendat shqiptare “Princesha Argjiro” dhe “Rozafa”, përmes një gjuhe bashkëkohore vizuale dhe digjitale.

5. “DITËT E MIOS” PËR HERË TË PESËMBËDHJETË NË KORÇË

Korça mirëpret sërish artistë nga vendi dhe bota në koloninë ndërkombëtare të artit figurativ “Ditët e Mios”, që do të mbahet për herë të 15-të nga 28 tetori deri më 1 nëntor. Aktiviteti në nder të mjeshtrit Vangjush Mio do të çelet mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Qendrën e Artit dhe të Kulturës në Korçë.