Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“24 ORË NGA JETA E NJË VOTUESI”, KOMEDIA PREMIERË NË TK

“24 orë nga jeta e një votuesi” është komedia satirë, që do të vijë premierë absolute mbrëmjen e nesërme në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Me regjinë e Driada Dervishit dhe muzikën e Aulon Naçit, interpretojnë Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj.

2. “VIJA: VAZHDIMI I PIKËS”, EKSPOZITA NGA ESHREF QAMILI NË FAB

“Vija: Vazhdimi i pikës” ekspozitë nga Eshref Qamili vijon të qëndrojë e hapur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. Me kuratorë Nita Qahili dhe Sadik Spahija, prezantohen vizatime të realizuara përgjatë 3 dekadash.

3.“ALTERAZIONI VIDEO”, VIJON EKSPOZITA NË MUZEUN “MARUBI”

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik ndërkombëtar “Alterazioni Video”, një nga zërat më të veçantë të artit bashkëkohor që ndërthur imazhin, arkitekturën, filmin dhe kërkimin kritik.

4. EKSPOZITA “XXXVI” E BLEDAR GRAMOS TE GALERIA “GOCAT”

Ekspozita “XXXVI” nga Bledar Gramo vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë në këto ditë të para të vitit.

5. “RRUGËT”, EKSPOZITA NË QENDRËN COD PRANË KRYEMINISTRISË

“Rrugët” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

6. “QOFTË E SHËNDETSHME DORA QË KRIJON” NË GALERINË E TIRANËS

Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon”, me tapete, sixhade dhe qilima të krijuar nga pesë artistë azerbajxhanas dhe një shqiptar vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Tiranës- GAT.

7. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS

Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji,  Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës edhe gjatë këtyre ditëve të janarit.