Aktivitetet kulturore/ Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“AIRBEAT FESTIVAL”, LULUFEST NË EDICIONIN E 2-TË NË KORÇË
Korça mirëpret edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore, “AirBeat Festival/ LuluFest”, një ngjarje që sjell në qytet artistë, dirigjentë dhe banda nga vende të ndryshme të botës. Përgjatë dy ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë parada spektakolare, koncerte dhe aktivitete artistike që e kthejnë qytetin në një qendër të muzikës frymore.
2. “ARKEOLOGU I VOGËL: ZBULO TIRANËN” NË SHESHIN “NËNË TEREZA”
Një aktivitet edukativ dhe kreativ për fëmijët e moshave 6-12 vjeç organizohet nesër, në orën 09:30, te “Tirana Moons” në sheshin “Nënë Tereza”. Përmes lojërave e punëtorive, pjesëmarrësit do të mësojnë më shumë mbi trashëgiminë kulturore dhe historinë e kryeqytetit.
3. “KRONIKË NË FESTË”, FESTIVAL PËR VEPRËN E ISMAIL KADARESË
Më 17 dhe 18 korrik, Pazari i Gjirokastrës bëhet skena e festivalit “Kronikë në festë”, kushtuar veprës së Ismail Kadaresë. Programi përfshin punëtori, shëtitje kulturore, muzikë dhe aktivitete që sjellin në vëmendje botën letrare të shkrimtarit dhe vendet që frymëzuan krijimtarinë e tij.
4. MUZIKË E MOTORË, POGRADECI MIRËPRET NË DY DITË “MOTOFEST”
Sheshi përpara Qendrës së Kulturës “Lasgush Poradeci” në Pogradec do të presë më 17 dhe 18 korrik “Moto-Fest Pogradeci”. Aktiviteti do të shoqërohet me koncerte nga Rubin Kaso, Frank Ibrahimi, Niki Zaimi dhe Offchestra, ndërsa parada tradicionale e motorëve do të zhvillohet më 18 korrik.
5. “STUDIOT E HAPURA – SESIONI II” TE “VILA 31 X ART EXPLORA”
Nga 17 deri më 19 korrik, publiku ftohet të vizitojë Studiot e Hapura në “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë. Vizitorët do të kenë mundësinë të takojnë artistët rezidentë, të njihen me procesin e tyre krijues dhe të ndjekin instalacione, performanca, projeksione dhe prezantime artistike.
6. TRADITË E AKTIVITETE KULTURORE NË ZEMËR TË ALPEVE NË TROPOJË
Më 17 dhe 18 korrik zhvillohet aktiviteti “Alpet” (Alps) në Nikaj-Mërtur, Tropojë, një fundjavë që ndërthur natyrën alpine, traditat lokale dhe aktivitetet kulturore në zemër të Alpeve Shqiptare.
Komente











