Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.SHPIRTI SPANJOLL NË NJË KONCERT TË KITARËS KLASIKE
Koncert me kitarë nga Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i “Albania International Guitar Festival” mund të ndiqni nesër në Gjirokastër në orën 18:00. Ky koncert është pjesë e Javës Kulturore Spanjolle dhe sjell interpretime të veprave më të njohura të kompozitorëve të mëdhenj të kitarës klasike.
2.MUZIKA E GEORGE ENESCU-T, KONCERT NË TEATRIN E OPERËS
“Muzika e George Enescu-t” është koncerti që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit neswr në orën 19:00 dhe që do të çojë publikun drejt shpirtit të Rumanisë. Kompozimet e George Enescu-t, “fenomenit më të madh muzikor që nga Mozarti”, siç e quante Pablo Casals, janë një urë mes folklorit rumun dhe elegancës së muzikës europiane.
Nga Aubade dhe Trois Mélodies te Cantabile et presto dhe Sept Chansons de Clément Marot, mbrëmja vjen si një udhëtim poetik në universin e një gjeniu që frymëzoi botën. Në koncert do të interpretojnë sopranot Sonila Baboçi dhe Eriona Gjyzeli, si dhe ansambli i instrumentistëve: Enalda Gjoni, Elton Tola, Xhanina Çela, Mario Guralumi, Herta Cane, Laura Lila, Daria Antonia Dragoicea.
3. ÇMIMI I ARTIT BASHKËKOHOR PËR TË RINJ “IDROMENO”, NË SHKODËR
Çmimi i Artit Bashkëkohor për të rinj “Idromeno” do të ndahet nesër në orën 19:00 në Galerinë e Arteve të Shkodrës.
4. “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR” NË TEATRIN “METROPOL”
“Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është shfaqja nga Erina Lazi që do të ngjitet në skenën e teatrit “Metropol” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00. Shfaqja është pjesë e festivalit “MetroFest 9”.
5. “LIBRI I XHUNGLËS”, NESËR PREMIERË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Libri i Xhunglës” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë premierë te Teatri i Kukullave në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 18:00.
6. “KËSULËKUQJA”, TRI SHFAQJE PËR FËMIJËT NË HIMARË
Teatri për fëmijë “Kësulëkuqja” do të shfaqet në Pallatin e Kulturës Himarë nesër në oraret 10:00, 11:00 dhe 12:00.
7. “NJË MARTESË...NJË DIVORC...NJË FUNERAL”, SHFAQJE NË “BYLIS”
Komedia “Një martesë, një divorc...një funeral” do të shfaqet sot në orën 18:00 te Teatri “Bylis” në Fier. Me autor: Joan Greening dhe regji nga Rovena Lule në të interpretojnë aktoret Olta Daku, Zamira Kita, Egla Ceno dhe Paola Kodra.
8. LUANUSHI I FRIKËSUAR’, PREMIERA PËR FËMIJË TE TKEKS
“Luanushi i frikësuar” është shfaqja për fëmijë me regji nga Endri Çela, që po vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Ajo do të shfaqet nesër dhe deri në 9 nëntor në orën 10:30.
9. “SI TA DONI”, SHFAQJE NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR
“Si ta doni” është shfaqja teatrore nga William Shakespeare që do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00 me regji nga John Blondell.
10. DYLA, EKSPOZITË MULTIMEDIALE TE QENDRA KULTURORE “TULLA”
“Rezonanca e fytyrës” nga Bekim Dyla është ekspozita që vijon të qëndrojë e hapur në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë. Ekspozita multimediale përfshin piktura, vizatime dhe tinguj.
Komente












