Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. KONCERT ME KËNGË POPULLORE VLONJATE DHE TË TRADITËS ÇAME
Këngë popullore vlonjate dhe të traditës çame do të vijnë për publikun në koncertin “Aty ku nisi kënga”, që do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
2. ‘200 VJET STRAUSS’ NË SKENËN E TEATRIT TË OPERËS E BALETIT
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Ansambli Simfonik “Johann Strauss” i Vjenës sjell sot në dy orare, në orën 18:00 dhe në orën 20:00, koncertin “200 vite Strauss ”, në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të mirënjohur dhe çeljes së Javës Kulturore Austriake në Tiranë.
3. “LULEBORË”, DY NETË FESTIVALI TË KËNGËS QYTETARE SHKODRANE
Festivali i Këngës “Luleborë” do të vijojë edhe mbrëmjen e sotme në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ky festival sjell krijime të reja muzikore, që ruajnë dhe pasurojnë traditën e këngës së autorit, të kultivuar ndër vite në qytetin e Shkodrës.
4. “DITËT E MIOS” PËR HERË TË PESËMBËDHJETË NË KORÇË
Korça mirëpret sërish artistë nga vendi dhe bota në koloninë ndërkombëtare të artit figurativ “Ditët e Mios”, që do të mbahet për herë të 15-të prej ditës së sotme deri më 1 nëntor. Aktiviteti në nder të mjeshtrit Vangjush Mio do të çelet sonte në orën 19:00 në Qendrën e Artit dhe të Kulturës në Korçë.
5. “KUR STRAUSS-I TAKON XHAZIN” KONCERT NGA KUINTETI AUSTRIAK
Një koncert nga Clara Montoçhio Quintet do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 20:00 te salla “Black Box” e Universitetit të Arteve. “Strauss meets Jazz” do të mbahet edhe në Shkodër më 30 tetor. “Clara Montocchio Quintet” vjen në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Austriake, duke ndërthurur muzikën e përjetshme të Strauss-it me elemente xhazi, popi dhe chanson-i. Ky program inovativ risjell veprat e Strauss-it në një peizazh tingujsh bashkëkohor, duke përfshirë tituj si: “Kupleja e Orlofsky-t”, “Meine Lippen, sie küssen so heiß”, “Wiener Blut”, “Trinke, Liebchen”, “Draußen in Sievering” dhe “Im Feuerstrom der Reben”.
6. “STUDIME PËR ARTIN”, 30 VJETORI I REVISTËS NË AKADEMI
Nesër në orën 11:00 në Akademinë e Shkencave do të kremtohet 30-vjetori i revistës “Studime për artin”. Në këtë ditë do të flitet se si lindi kjo revistë, për historinë e saj gjatë tri dekadave të fundit, si dhe perspektivat e zhvillimit të këtij periodiku shkencor në të ardhmen.
7. “PRINCESHA ARGJIRO” DHE “ROZAFA” NË DY FILMA TË ANIMUAR
“Nova Tale - Narrativa të reja mbi tregimet e moçme” është aktiviteti që do të mbahet mbrëmjen e sotme në orën 18:30 te Qendra Kulturore “Tulla” në Tiranë. Të pranishmit mund të ndjekin premierën e dy filmave të shkurtër të animuar, që risjellin legjendat shqiptare “Princesha Argjiro” dhe “Rozafa”, përmes një gjuhe bashkëkohore vizuale dhe digjitale.
Komente












