Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.BALETI “ARRËTHYESI”, SHFAQJE TË SHTUNËN DHE TË DIELËN
Baleti “Arrëthyesi” vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me disa shfaqje. Më 21 dhjetor në orën 19:00 do të jetë prova gjenerale e shfaqjes, ndërsa më 22 dhjetor do të vijnë dy shfaqje: në orën 18:00 dhe në orën 20:00. Shfaqja është një udhëtim në botën e ëndrrave, muzikës së pavdekshme të Tchaikovskyt dhe magjisë së Krishtlindjes.
2.“GRUAJA NË OPERËN E DASHURISË”, KONCERT NË SKENËN E TKOB
“Gruaja në Operën e Dashurisë” është koncerti vokal-instrumental, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Heroinat ikonike të repertorit botëror operistik marrin frymë përmes interpretimit të sopranos Alisa Katroshi, shoqëruar në piano nga Herta Cane.
3. PREMIERA E RE E CIRKUT KOMBËTAR NË TEATRIN E KUKULLAVE
Më 20 dhe 21 dhjetor, në orën 17:00, në Teatrin e Kukullave, Cirku Kombëtar sjell premierën e re artistike me titull “Circus Show”, një shfaqje që ndërthur emocionin muzikor, pantomimën komike dhe komedinë groteske, me fokus të veçantë te arti i kllounatës.
4. “MERI POPINS”, SHFAQJA PREMIERË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Meri Popins” është shfaqja me regji nga Endri Çela, që vjen premierë në Teatrin e Kukullave më 20 dhe më 21 dhjetor në oraret 10:30 dhe 11:30.
5. “FLOKËT E DËBORËS”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË TEATRIN “SKAMPA”
“Flokët e dëborës” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan nesër, më 20 dhjetor, në orën 10:30.
6. “GRUFFALO”, SHFAQJA PREMIERË PËR FËMIJË TE EKSPERIMENTALI
“Gruffalo” është shfaqja për fëmijë që vjen premierë nesër, më 20 dhjetor, në orën 10:30 në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.
7. “BALKAN FILM MARKET” SONTE NË EDICIONIN E NËNTË NË TIRANË
Edicioni i nëntë i “Balkan Film Market 2025” vijon të mbahet edhe sot në Tiranë. Aktiviteti është ngjarja më e rëndësishme në fushën audiovizuale në vend, që bën bashkë profesionistë të kinemasë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës.
8. KONCERT FESTIV, SHFAQJE ARTISTIKO-SPORTIVE NË ELBASAN
Koncert festiv Show mbahet nesër në orën 17:00, në teatrin “Skampa” në Elbasan. Shfaqja është konceptuar si aktivitet artistiko- sportiv masiv, si dhe një konkurs kërcimi.
9. “TINGUJT E ADRIATIKUT”, FESTIVALI DY DITOR NË DURRËS
“Tingujt e Adriatikut” është festivali që do të mbahet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, sot dhe nesër, në orën 18:30.
Komente











