Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.MBRËMJE KONCERTORE ME KËNGË E VALLE QYTETARE BERATASE

Një koncert me këngë e valle qytetare beratase do të vijë mbrëmjen e nesërme në orën 18:30 te Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat.

2. FESTIVALI I FILMIT ROM, “REALITETE TË NDRYSHME” TE “TULLA”

Sot në orën 16:00, në Qendrën Kulturore “Tulla” do të mbahet Festivali i Filmit Rom, “Different realities” (Realitete të ndryshme).

3.KONCERT I ORKESTRËS SË RTSH-SË ME KRIJIMET E GJON SIMONIT

Orkestra Simfonike e RTSH-së sjell një mbrëmje të veçantë, sot në orën 19:00 në sallën e Universitetit të Arteve, kushtuar krijimtarisë së kompozitorit Gjon Simoni, nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço dhe me pjesëmarrjen e violinistit Lorenc Radovani.

4.“BASHKË ME NEÇO MUKON”, SHFAQJE DHE KONCERT NË HIMARË

Për herë të parë, pjesët teatrale të shkruara nga Neço Muko ngjiten në skenë, duke u ndërthurur me tingujt polifonikë dhe hijeshinë e detit Jon. Shfaqja do të vijë në sallën “Neço Muko” në Himarë, sot, në orën 17:00.

5. “TREGIME FSHATI: BOBOSHTICË”, USHQIME DHE MUZIKË NË FSHAT

Më 24 dhe 25 tetor, nga ora 11:00-20:00, Boboshtica hap dyert për një fundjavë me shije, traditë e muzikë. Nga përvoja në ferma, gatimi në saç dhe rakia e manit, deri te performanca electro swing jazz dhe serenatat korçare do të bëhen pjesë e “Tregime Fshati: Boboshticë”.

6. FESTIVALI I PARË NDËRKOMBËTAR I BANDAVE FRYMORE NË KORÇË

Për herë të parë, Korça bëhet qendra ku do të takohen ritmet dhe tingujt e bandave nga vende të ndryshme nga 24 deri më 26 tetor në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore.

7. “TË ZAKONSHMIT”, FILMI GJERMAN SHFAQET NË QENDRËN “GËTE”

“The Ordinaries” (Të zakonshmit), një histori për identitetin, përjashtimin dhe kërkimin e përkatësisë do të shfaqet në Qendrën “Gëte” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 18:00. Filmi do të transmetohet në gjermanisht me titra në anglisht.

8. SHFAQJA “GRUAJA E BURRIT TIM” NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER

Mbrëmjen e sotme në orën 19:00, teatri shëtitës “Çajupi” mbërrin në teatrin “Bylis” të Fierit, ku do të shfaqë komedinë “Gruaja e burrit tim”.

9. “BABAI”, SHFAQJE NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL

Shfaqja “Babai” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e sotme e deri më 26 tetor në orën 20:00.